Trajneri dhe analisti i njohur i futbollit kosovar, Gani Sejdiu ka thënë se situata e ditëve të fundit e ndodhur brenda Kombëtares së Kosovës, ku u përjashtuan tre lojtarë për shkak të thyerjes së rregullave të ekipit si (Muslija, Muriç dhe Edon Zhegrova) mund të ketë ndikim negativ në ecurinë e Kosovës në rrugëtimin e tyre në Ligën e Kombeve.
“Dardanët” u mposhtën nga Rumania me rezultat 3-0 në Prishtinë, ndërsa sonte luajnë në udhëtim ndaj Qipros.
“Edhe në këto raste gjithmonë duhet gjetur forcën për t’u rikuperuar nga një zhgënjim i tillë, kështu që për të dal nga kjo duhet të jemi të gjithë të bashkuar, sidomos në këso raste sepse kur fiton është më lehtë…Nuk diskutohet që në këtë periudhë shumë të shkurtër kohore nga takimi me rumunët tani me Qipron është kohë e shkurtër dhe pasojat do të jenë evidente. Ne do ta shohim, është fati ynë ndoshta që e kemi një kundërshtar ndoshta që nuk e ka nivelin e kualitetit që ndoshta që ta na rrezikoj shumë siç ka qenë Rumania dhe kjo mund të jetë një element që ne duhet ta shfrytëzojmë përkundër këtij rasti që na ka ndodhur”, ka thënë Sejdiu.
Ai konsideron që më vështirë do të jetë që të zëvendësojet Edon Zhegrova në sulm, por shprehet i bindur se Qipro mund të mposhtet edhe me grupin e lojtarëve që kanë mbetur në dispozicion të trajnerit Franco Foda.
“Te Zhegrova pak problem por megjithatë kemi zëvendësime, kemi alternativa edhe grupi i lojtarëve që ka mbetur unë mendoj që nëse kanë arritur selektorin me stafin e vet situatën ta rikuperojnë në kuptimin e motivit dhe ta lënë anash këtë problem që ka ndodhur i cili është në periudhë shumë të keqe, shumë të papërshtatshme, unë mendoj që padyshim që e kemi mundësinë dhe kualitetin si dhe ekipin për ta mposhtur Qipron”, përfundoi Sejdiu.
Ndeshja ndërmjet Qipros dhe Kosovës do të nis nga ora 18:00.