Sot në Kuvendin e Shqipërisë është paraparë të shqyrtohet në parim projektbuxheti për vitin 2025.
Por fjalimi i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama u pengua nga opozita të cilët u bienin tavolinave gjatë prezantimit.
Përkundër kësaj Rama tha se buxheti 2025 i Shqipërisë, ka një lajm të mirë për pensionistët.
“Në hyrje të kësaj fjale për probjektbuxhetin 2025 dua t’ju përcjell të gjithë pensionistëve të Shqipërisë lajmin e mirë se në vijim qeveria do të çliroj një fond prej afër 100 milion euro për bonusin e tyre të fundvitit. Do të ndahet në dy shkallë të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë, 200 euro, do të marrin 3 fishin e bonusit të deri djeshëm përmes një bonusi të ri prej 150 eurosh. Ndërsa pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë lekë do të marrin dy fishin e bonusit të viteve të mëparshme përmes një bonusi në masën 100 euro. Ky dallim mes të parëve e dytëve nuk bëhet për tu dhënë më pak atyre që kanë pension më të lartë, por për tu dhënë më shumë atyre që kanë një pension më të ulët”, tha Rama.
Kryesuesja e Kuvendit të Shqipërisë Elisa Spiropali ka ftuar opozitën që të ulen dhe t’i shprehin në kohën e tyre pakënaqësitë. Ajo ka ftuar që mos të bëjnë zhurmë dhe të dëgjojnë fjalën e kryeministrit.
Me kërkesën e kryeministrit Rama, seanca është ndërprerë për 5 minuta pushim.
“Parlamenti është vendi ku çdo njeri thotë atë që mendon dhe secili mbron pozicionin e vet, spostimi fizik nga karriget drejt folësve dhe ulërimat nga vendi duhen sanksionuar me kalim në votim”, u shpreh Rama.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në takimet me pensionistët deklaroi se po shikohet një plan rritjeje graduale e pensioneve.