Seanca e së hënës në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar në sesion privat.
Me të arritur trupi gjykues në sallën e gjyqit, në momentin kur kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka filluar të flasë, përmbajtja është redaktuar, për të vazhduar më tej seanca në sesion privat.
Ndryshe në seancën e fundit të mbajtur më 17 gusht në këtë çështje, është dëgjuar dëshmitarja e 17-të me radhë, Dragica Bozhaniq.
Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.