Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa.
Në seancë dëshminë e tij po e jep edhe dëshmitari i parë i cili po ju përgjigjet pyetjeve të prokurorëve.
Ai tha se Sali Mustafa ia kishte vendosur revolën në kokë.
“Në dhomë nuk e di por kur ma ka vendosur në kokë revolën ia ka tërhequr këmbëzën por nuk ka shkrepur. Të them të drejtën kam pasur dëshirë të më vriste, por nuk më vrau. Zoti më ka ndihmuar a nuk e di por në atë moment kam pasur dëshirë më vriste”.
Dëshmitari në rrëfimin e tij para prokurorëve theksoi se njeriu i cili e përdori revolën kundër tij ishte pikërisht i akuzuar.
“Ky është njeriu, i akuzuari. Nuk po mundem të ia përmend emrin, ky që është i akuzuar këtu. Në atë moment s’ka pas nofkë fare, por e di, e di, ma herët ai e ka pas kapelën e kuqe”.
Dëshmitari theksoi se ishte rrahur në vendin ku ishte mbajtur.
“Nuk di asgjë se s’kam parë asgjë. Errësirë ka qenë, por ma ka bërë atë. E kam dëgjuar duke thënë mos e rrahni më. Lëreni, se paska fat. E sa më kanë rrahur nuk e di, dy orë a tre orë a pesë orë a nuk e di kam qenë i lënduar. Nuk di asgjë”.
Ai theksoi se Sali Mustafa ishte kryesori në vendin ku po mbahej, por se nuk e kishte parë të akuzuarin sepse në atë vend ishte errësirë.
”E di se ai aty ka qenë kryesori. E bazoj sepse pa i thënë i akuzuari ata s’kanë bërë asgjë, tjerët ushtarë që kanë qenë. E kështu s’kam parë asgjë se errësirë ka qenë. Nuk e kam parë. Nuk them se e kam parë”./klankosova.tv