Nisi seanca e parë për sesionin pranveror. Kjo seancë filloi duke përkujtuar dhe nderuar me një minutë heshtje Edi Shukriun, akademiken që ndërroi jetë dje.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se se lajmin për vdekjen e Shukriut e morën me pikëllim dhe i shprehu ngushëllime familjes dhe bashkëpunëtorëve të saj.
“Dje ndërroi jetë akademikja jonë Edi Shukriu. Lajmin e morëm të gjithë me pikëllim. Ka qenë intelektuale akademike, arkeologe e shquar e popullit tonë po ashtu shkrimtare e profesoreshë e po ashtu edhe deputete e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e parë, dhe ne në emër të Kuvendit të Kosovës i shprehim ngushëllime familjes dhe bashkëpunëtorëve të saj të ngushtë dhe propozoj ta mbajmë një minutë heshtje për Edi Shukriun”, tha ai.
Në këtë seancë të së mërkurës do të diskutohen dhe votohen pikat e papërfunduara nga seancat e vitit të kaluar.
Gjithsej, në seancën e sotme në rend dite janë 15 pika nga shtatë seanca të kaluara.