UBT News

Sean “Diddy” Combs do të lirohet nga burgu më herët, data caktohet për janar 2028

Reperi amerikan Sean “Diddy” Combs pritet të lirohet nga burgu më herët sesa ishte planifikuar fillimisht, pavarësisht një incidenti të fundit ku raportohet se u përfshi në një përleshje me një të burgosur tjetër.

Sipas të dhënave më të fundit të Byrosë Federale të Burgjeve, lirimi i Combs është caktuar për 24 janar 2028. Fillimisht, data e lirimit ishte parashikuar për maj të vitit 2028, por ajo është ndryshuar disa herë gjatë muajve të fundit.

Combs, 56 vjeç, u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda, përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore dhe reketimin, por u dënua për organizim të prostitucionit.

Shkurtimi i dënimit lidhet me zbatimin e ligjit amerikan “FIRST STEP Act”, i cili u mundëson disa të dënuarve përfitime për lirime më të hershme.

Ndryshimi i fundit i datës së lirimit vjen vetëm një javë pasi reperi raportohet se u përfshi në një përleshje fizike me një të burgosur tjetër në burgun federal Fort Dix në New Jersey. Sipas raportimeve, konflikti nisi pas një përplasjeje verbale dhe më pas kaloi në përleshje fizike, derisa ndërhynë rojet e burgut.

Pas incidentit, Combs raportohet se është vendosur përkohësisht në izolim, megjithëse autoritetet e burgut nuk kanë konfirmuar detaje për ngjarjen.

Byroja Federale e Burgjeve ka deklaruar se, për arsye sigurie dhe privatësie, nuk komenton kushtet e qëndrimit të të burgosurve apo arsyet e ndryshimit të datave të lirimit./A.K/

Exit mobile version