UBT News

Së shpejti një dritare për studime të Doktoratës në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë në Bullgari

UBT së shpejti do ta ketë edhe një dritare më shumë për ata që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në nivelin e Doktoratës në një prej instituteve prestigjioze bullgare.

Bashkëpunimi shkencor në shumë fusha të sigurisë, veçanërisht në studimet postdiplomike, ishte thelbi i takimit të frytshëm e premtues në Bullgari në mes të Rektorit të UBT-së, Prof.Dr. Edmond Hajrizi dhe Drejtorit të Institutit të Mbrojtjes “Prof. Tsvetan Lazarov”, Kolonel Dr. Dimitar Kirkov, e ku ishte i pranishëm Ambasadori i Kosovës në Bullgari, Delfin Pllana, i cili po punon për krijimin e lidhjeve të reja të bashkëpunimit mes dy shteteve.
Në këtë takim Rektori Hajrizi dhe delegacioni i lartë i Institutit i kryesuar nga Kolonel Kirkov diskutuan mundësitë e arritjes së shpejtë të marëveshjes që do t’u mundsojë të gjithë atyre që duan të avancojnë karrierën e tyre akedemike në nivelin e Doktoratës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë që këtë ta bëjnë përmes UBT-së në këtë institucion kredibil e prestigjioz.

Po ashtu, në këtë takim, ka pasur një bashkëbisedim të avancuar për bashkëpunimin në të ardhmen mes UBT-së dhe Institutit të Mbrojtjes “Prof. Tsvetan Lazarov”, në fushën e kërkimit shkencor, shkëmbimit të shkencëtarëve të rinj, pjesëmarrjen në projekte të përbashkëta etj.
Bashkëpunimi do të nis me ftesën që i është bërë UBT-së për pjesëmarrjen në një konferencë shkencore që do të mbahet pas pak javësh në Sofje.


Instituti i Mbrojtjes ‘Prof. Tsvetan Lazarov’ është një institut me karakter shkencor me ekspertizë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ky institut është organ që funksionon në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes, përkrahet nga strukturat shkencore në kuadër të NATO-s, BE-së dhe bashkëpunon me mbi 100 institucione të ndryshme shkencore në Bullgari dhe jashtë.

Instituti ofron programe të karakterit mësimor-shkencor për fitim të titujve Doktor dhe Doktor i Shkencave në nëntë fusha: Dinamika, balistika dhe kontrolli i fluturimit të aeroplanëve; Radiolokimi dhe radio-navigimi; Pajisjet radio-transmetuese dhe radio-pranuese; Sistemet e automatizuara të procesimit dhe kontrollit të informacionit; Pajisjet dhe metodat optike laserike; Dizajnimi dhe projektimi i automjeteve dhe aeroplanëve; Metodat për kontrollin dhe testimin e materialeve, pajisjeve dhe makinerisë; teknologjika kimike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes dhe Teknologjia e informacionit dhe siguria kibernetike.

Takimi i Rektorit Hajrizi me Kolonel Dr. Dimitar Kirkov

Që nga viti 2009 në Institutin e Mbrojtjes është e vendosur edhe Akademia CISCO për trajnim të personelit ushtarak dhe civil për sisteme të Ministrisë së Mbrojtjes në teknologji të lartë të informacionit.

Ekspertiza tjetër e Institutit është certifikimi i kualitetit të sistemeve dhe produkteve që kanë të bëjnë me fushën e mbrojtjes, regjistrimi dhe certifikimi i mjeteve dhe pajisjeve ushtarake dhe atyre policore. Instituti ka tri laboratore të akredituara nga Agjensioni Kombëtar i Bullgarisë i Shërbimeve të Akreditimit.

Exit mobile version