Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA) tha të hënën mbrëma se të paktën 200 fëmijë në Somali kanë vdekur nga kequshqyerja që nga janari. Somalia po përballet me pasiguri ushqimore katastrofike për herë të parë që nga viti 2017.
Situata me thatësirën është përkeqësuar pas një sezoni pa shi në tetë rajone të vendit, duke i çuar familjet e prekura në prag të urisë, sipas OKB-së.
“Më shumë se 7 milionë njerëz janë prekur, nga 6,1 milionë në maj, dhe mbi 805 mijë janë zhvendosur”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga agjencia e OKB-së për çështjet humanitare.
Në përgjigje të thatësirës, OKB-ja tha se partnerët e saj humanitar kanë nisur reagimin ndaj thatësirës dhe planin e parandalimit të urisë që mbulon majin deri në dhjetor të vitit 2022 për të lehtësuar shkallëzimin e ndihmës për të shpëtuar jetën dhe për të parandaluar urinë në vend./UBTNews/