Fakulteti i Shkencave Mjekësore në UBT organizoi një aktivitet humanitar me qëllim ndërgjegjësimin dhe inkurajimin e studentëve dhe stafit të UBT-së për të kontribuar në një kauzë jetësore: dhurimi i gjakut. Aktiviteti kishte për qëllim të theksonte rëndësinë e dhurimit të gjakut për shpëtimin e jetëve dhe të inkurajonte pjesëmarrësit të kontribuonin në këtë akt humanitar që mund të bëjë ndryshimin për ata që ndodhen në nevojë urgjente për transfuzione gjaku.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të mësojnë mbi procesin e dhurimit të gjakut, duke u njohur me procedurat e sigurisë dhe masat që merren për të siguruar shëndetin e dy palëve, atyre që japin dhe marrin gjak.
Ky aktivitet humanitar kishte një rëndësi të madhe për studentët e Shkencave Mjekësore, të cilët, përveçse kontribuan për një kauzë të madhe, patën mundësinë të shohin përpjekjet konkrete që bëhen në fusha si shëndeti publik dhe shërbimet mjekësore për të mbështetur jetën dhe mirëqenien e qytetarëve. Pjesëmarrësit u inkurajuan të vazhdojnë të jenë të angazhuar në ndihmën ndaj të tjerëve, duke u bërë shembuj të mirë të përkushtimit dhe solidaritetit.
Aktiviteti përfundoi me një fushatë sensibilizuese për t’u siguruar që më shumë individë do të inkurajohen të dhurojnë gjak dhe të ndihmojnë në përmbushjen e nevojave jetike të spitaleve dhe pacientëve që ndodhen në situata urgjente. Ky aktivitet është një hap tjetër në përpjekjet e UBT-së për të kontribuar në shëndetin e shoqërisë dhe për të formuar profesionistë të angazhuar, të cilët janë të përkushtuar për mirëqenien e komunitetit./UBTNews/D.E.