Aktivistja suedeze e klimës, Greta Thunberg tha të premten se po shënonte “grevën e saj të fundit në shkollë”, kjo pasi po mbaronte shkollën e mesme. Megjithatë, ajo tha se do të vazhdojë të marrë pjesë në protestat javore.
“Sot mbaroj shkollën, që do të thotë se nuk do të jem më në gjendje të bëj ‘school striking’ për klimën. Kjo është atëherë greva e fundit e shkollës për mua”, tha Thunberg.
Thunberg tha gjithashtu se ajo nuk kishte në plan të hiqte dorë plotësisht nga protestat.
“Unë do të vazhdoj të protestoj të premteve, edhe pse teknikisht nuk është ‘school striking’. Ne thjesht nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të bëjmë gjithçka që mundemi”, tha 20-vjeçarja, duke shtuar se “beteja ka vetëm sa ka filluar”.
Greta Thunberg ishte vetëm 15 vjeç kur filloi “Grevën e saj në shkollë për klimën” përpara parlamentit suedez në Stokholm./UBTNews/