UBT News

Scholz thotë se Putin “nuk do t’i arrijë qëllimet e tij” në Ukrainë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz mbajti një fjalim në Bundestag të mërkurën, e theks të veçantë u dha “imazheve tronditëse” si pasojë e tërmetit në Turqi dhe Siri, dhe fatkeqësisë “së krijuar nga njeriu”, që sipas tij është lufta në Ukrainë.

Fjalimi i Scholz vjen në prag të një samiti të posaçëm të BE-së, që do të mbahet të enjten në Bruksel.

Scholz e filloi fjalimin e tij duke iu drejtuar tërmetit që la të vdekur mijëra njerëz këtë javë, në të gjithë Turqinë dhe Sirinë.

“Imazhet tronditëse në lajme kanë arritur te ne. Jemi të tronditur përballë kaq shumë shkatërrimeve”, tha Scholz.

“Qeveria federale i ka premtuar menjëherë mbështetje qeverisë turke”, njoftoi ai.

Më pas ai trajtoi atë që ai e përshkroi si një fatkeqësi “të krijuar nga njeriu” – luftën në Ukrainë, e cila ka ndezur “lëvizjen më të madhe të migracionit që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Scholz.

“Që nga dita e parë e luftës, karakteristika jonë më e fortë qëndron në kohezionin tonë. Ne thjesht nuk do të lejojmë që një vend të pushtojë një tjetër dhe të prishë paqen në Evropë”, deklaroi ai.

Ai tha se sanksionet e BE-së “do të vazhdojnë” kundër Rusisë “dhe madje mund të ashpërsohen”.

Scholz siguroi Ukrainën se e ardhmja e saj qëndron në BE para përvjetorit të parë të pushtimit nga Rusia.

“Ukraina i përket Evropës, e ardhmja e saj qëndron në Bashkimin Evropian. Dhe ky premtim është i vërtetë”, tha Scholz.

Të martën, ministri i mbrojtjes i Rusisë tha se furnizimet me armë perëndimore për Ukrainën po e tërheqin NATO-n në konflikt, duke paralajmëruar se kjo mund të çojë në një përshkallëzim “të paparashikueshëm”.

Ai shtoi tutje se: “Nuk është NATO në luftë kundër Rusisë. Është pushtimi i Rusisë në Ukrainë. Putini nuk do t’i arrijë qëllimet e tij – jo në fushën e betejës dhe jo përmes një paqeje të diktuar. Kjo është e qartë pas një viti të kësaj lufte”./UBTNews/

Exit mobile version