Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha të mërkurën se presidenti rus, Vladimir Putin bëri një kalkulim të gabuar kur i dërgoi trupat në Ukrainë, duke shtuar se ai nuk e ka arritur asnjë qëllim të cilin e ka vendosur para sulmit.
Duke iu drejtuar ligjvënësve në Bundestagun gjerman, Scholz tha se bindja e Putinit se Rusia do të fitojë dhe Ukraina do të humbasë brenda ditësh, ishte një nënvlerësim masiv.
“Putin besonte se mund të thente solidaritetin e Evropës duke mbyllur rubinetin tonë të gazit”, tha Scholz mes tjerash.
Scholz theksoi mbështetjen e BE-së për Ukrainën dhe tha se përpjekjet për të minuar këtë mbështetje do të dështojnë, duke iu referuar Hungarisë, e cila në fillim të kësaj jave hodhi poshtë kundërshtimet për ndihmën për Kievin.
“Kushdo që mendon se mund të minojë vlerat e BE-së, për të cilat çdo shtet anëtar është angazhuar, duke bllokuar politikat e saj të jashtme dhe të sigurisë, do të dështojë”, tha ai.
Në fjalimin e tij, Scholz gjithashtu tha se është në “interesin” më të mirë të Gjermanisë dhe Evropës që vendet e Ballkanit që aktualisht nuk janë në BE t’i bashkohen bllokut./UBTNews/