Sot, në Kancelarinë Federale në Berlin, kancelari gjerman Olaf Scholz pret kryetarët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Samitit të 10-të të Procesit të Berlinit. Ky samit, që shënon një jubile të rëndësishëm, pritet të miratojë disa marrëveshje të rëndësishme për bashkëpunimin rajonal dhe lehtësimin e lëvizjes së studentëve.
Një nga marrëveshjet kryesore që do të nënshkruhet është ajo që synon shkëmbimin e studentëve dhe lehtësimin e qasjes në institucionet arsimore të vendeve të Ballkanit. Kjo marrëveshje do të ndihmojë në njohjen reciproke të kualifikimeve akademike dhe diplomave universitare, duke lehtësuar mobilitetin e studentëve dhe mundësitë e tyre për të studiuar në universitetet e vendeve të tjera të rajonit.
Përveç kësaj, pritet të miratohet një plan i ri veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal, i cili do të harmonizojë standardet sociale dhe të punës, si dhe do të lehtësojë qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve brenda rajonit. Një tjetër çështje e rëndësishme që do të diskutohet është zhbllokimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), e cila do të forcojë më tej bashkëpunimin tregtar.
Para këtij samiti, janë zhvilluar takime të nivelit të ministrave për të diskutuar një sërë temash. Në takimin e ministrave të Brendshëm, është biseduar për bashkëpunimin kundër migracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar. Ministrat e Ekonomisë kanë trajtuar transformimin energjetik të vendeve të rajonit dhe eliminimin e barrierave tregtare.
Ministrat e Jashtëm kanë rënë dakord për përmirësimin e standardeve për investimet e huaja dhe për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Gjithashtu, janë bërë diskutime për përmirësimin e gjendjes së romëve dhe harmonizimin e legjislacionit në çështjet gjinore.
Procesi i Berlinit, i krijuar në vitin 2014 për të mbështetur procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, është një iniciativë e ish-kancelares gjermane Angela Merkel. Kjo nismë ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të promovojë stabilitetin në Ballkan.
Me praninë e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, ky samit pritet të sjellë rezultate pozitive dhe marrëveshje që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve në rajon./UBTNews/