Kancelari gjerman Olaf Scholz është pritur me nderime ushtarake në Varshavë nga kryeministri polak Donald Tusk, duke shënuar fillimin e konsultimeve të para qeveritare gjermano-polake që nga viti 2018.
Scholz udhëtoi në Poloni me 12 ministra federalë dhe shtetërorë. Sipas burimeve qeveritare në Berlin, konsultimet pritet të japin “një shtysë të fortë” për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Gjithashtu, pritet të bihet dakord për një plan-veprimi të përbashkët gjermano-polak, duke përfshirë disa projekte.
Berlini do të prezantojë një paketë financiare për Poloninë- që përfshin pagesat e kompensimit për viktimat polake të okupimit nga Gjermania naziste, si dhe ndihmën gjermane për mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s.
Përveç kësaj, paratë do të kanalizohen në ndërtimin e Shtëpisë Gjermano-Polake në Berlin. Shtëpia ka për qëllim të përkujtojë historinë e ndërlikuar gjermano-polake dhe pushtimin brutal gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-45) dhe të krijojë një vend kujtimi për viktimat polake të luftës./UBTNews/