Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i kërkoi Moskës urgjentisht të tregojë “shenja të de-përshkallëzimit” mbi krizën në kufirin ukrainas, ndërsa ai nisi një udhëtim dy-ditor në Kiev dhe Moskë, përcjell UBT News.
Scholz shkroi në Twitter të hënën se gjatë vizitës së tij në Ukrainë ai do të “shpreh solidaritetin dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme”.
“Ne presim urgjentisht shenja të de-përshkallëzimit nga Moska”, shtoi ai. “Një tjetër agresion ushtarak do të kishte pasoja shumë të rënda për Rusinë. Unë jam dakord absolut me aleatët tanë për këtë. Ne po përjetojmë një kërcënim shumë, shumë serioz për paqen në Evropë”.
Udhëtimi dy-ditor i Scholz-it vjen pasi qeveria e tij u kritikua për refuzimin e furnizimit me armë në Ukrainë ose për të përcaktuar se cilat sanksione do të mbështeste kundër Rusisë, duke ngritur pikëpyetje rreth vendosmërisë së Berlinit për t’i bërë ballë Rusisë.
Përpara udhëtimit, ambasadori ukrainas në Berlin dënoi atë që ai e quajti “hipokrizi gjermane”.
Andrij Melnyk shkroi në Twitter të dielën se ndërsa Berlini nuk po dërgon armë “për vetëmbrojtje të Ukrainës kundër pushtimit ushtarak të Rusisë”, ai ka eksportuar mallra me përdorim të dyfishtë në vlerë prej 366 milionësh në Rusi në vitin 2020 “të cilat mund të destinohen për të rritur prodhimin e armëve”./UBTNews/