Qeveria e re gjermane ka dhënë indikacionet më të qarta deri më tani se do të diskutonte ndalimin e gazsjellësit Nord Stream 2 nëse Rusia e pushton Ukrainën.
Kancelari gjerman Olaf Scholz lëshoi paralajmërimin e tij më të fortë deri më tani në një konferencë për shtyp me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ku ai ishte nën presion nëse ndëshkimi i Nord Stream 2 ishte pjesë e “masave të rënda ekonomike” me të cilat Gjermania tha se do të përballej Rusia nëse ajo sulmon Ukrainën, shkruan Politico.
“Është e qartë se ky do të jetë një çmim i lartë dhe se e gjithë kjo do të duhet të diskutohet nëse do të ketë një ndërhyrje ushtarake kundër Ukrainës”, tha Scholz.
Scholz tha se qeveria e tij “qëndron pranë të gjitha aspekteve” të marrëveshjes që paraardhësja e tij Angela Merkel arriti me presidentin e SHBA-së Joe Biden vitin e kaluar, sipas së cilës Gjermania premtoi të ndërmarrë veprime në nivel kombëtar dhe të detyrojë BE-në të sanksionojë nëse Rusia përdor energjinë si armë ose të kryejnë akte të mëtejshme agresioni kundër Ukrainës.
Vërejtjet e kancelarit gjerman vijnë në një kohë kur Rusia ka vendosur rreth 100 mijë trupa në kufirin ukrainas, duke rritur frikën e pushtimit. Një seri takimesh javën e kaluar midis Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s nuk arritën të lehtësonin tensionet.
“Ne presim që Rusia të de-përshkallëzojë situatën. Kjo mund të përfshijë, për shembull, reduktimin e trupave në kufirin ukrainas”, tha Scholz.
Ai la të kuptohej gjithashtu gatishmërinë për të biseduar me Moskën, duke thënë se “janë të gatshëm për dialog serioz me Rusinë për çështje të sigurisë në Evropë”, përcjell Reuters.