Kancelari gjerman Olaf Scholz (SPD) dhe kandidati për kancelar i Unionit Kristian Demokrat (CDU) Friedrich Merz u zotuan sot se nuk do të bashkëpunojnë me të djathtën ekstreme.
Scholz i tha parlamentit përpara zgjedhjeve të 23 shkurtit se ai kurrë nuk do të bashkëpunonte me të djathtën ekstreme dhe akuzoi Merz për thyerjen e premtimit të tij pasi Alternativa për Gjermaninë (AfD) mbështeti nismën e tij për migracionin dhe sigurinë muajin e kaluar, duke thyer premtimet për të bashkëpunuar me të djathtën ekstreme, raportoi Reuters.
Merz iu përgjigj Scholz-it, duke thënë se bashkëpunimi me AfD-në ishte krejtësisht jashtë diskutimit për të dhe përgjegjësinë për rritjen e popullaritetit të AfD-së ia kaloi koalicionit Scholz, i cili, sipas tij, “pas dështimit të tij në nëntor, zbatoi politika të majta kundër vullnetit të dukshëm të qytetarëve”.
AfD është aktualisht në vendin e dytë në sondazhe, përpara Partisë Social Demokratike të Gjermanisë (SPD) të Scholz-it, ndërsa blloku CDU/CSU i Merz-it mund të fitojë më shumë vota.
Sipas sondazhit të fundit të INSA, CDU/CSU dhe AfD fituan secila nga një pikë përqindje, duke arritur përkatësisht 30 për qind dhe 22 për qind, ndërsa SPD ra në 15.5.
Të gjithë aktorët politikë po e përjashtojnë mundësinë e formimit të koalicionit me AfD-në, çka do të thotë se bisedimet për formimin e qeverisë mund të vazhdojnë pas zgjedhjeve.