Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka njoftuar se Qeveria aktuale nuk po i merr parasysh kërkesat për të dialoguar. SBAShK-u paralajmëroi masa sindikale para shtatorit, kur është paraparë fillimi i vitit shkollor.
Në një komunikatë për media, SBAShK-u tha se të gjitha institucionet shkollore, administratat në komuna, por edhe të punësuarit tjerë, do të jenë në grevë të përgjithshme nga shtatori, deri sa “Qeveria Kurti të ndërrojë qasjen e të kuptojë se duhet të ulet me sindikatat të gjejë zgjidhje”.
“Qeveria Kurti pa shkuar nëpër pushime duhet t’i vë gishtin kokës sepse çmimet kanë shkuar deri në qiell e pagat kanë mbetur në tokë. Qeveria as nuk po ngrit pagat, as nuk po fton në takime sindikatat për të bashkëbiseduar, as nuk po i fton ato për t’u marrë vesh për Ligjin e pagave. Qeveria po sillet se vetëm Kurti e Murati ekzistojnë në këtë nënqiellin e Kosovës. Mirëpo le ta dinë deputetët e pozitës, të opozitës dhe i gjithë populli i Kosovës se angazhimit të sindikatës për dialog i ka ardhur fundi. Ata pasi dërguan edhe plakun, pra ndërmjetësuesin ligjor për dialog , e qeveria nuk u lodh as për këtë angazhim të sindikatave për dialog, atëherë para shtatorit do të shohim reagimet e forta të sindikatave, kurse populli le ta di se në shtator çerdhet, shkollat, pastaj edhe Universitetet dhe administrata në komuna , por edhe të punësuarit në sektorë të tjerë do të jenë në grevë të përgjithshme e cila do të jetë deri sa Qeveria Kurti të ndërrojë qasjen e të kuptoj se duhet të ulet me sindikatat të gjej zgjidhje. E zgjidhja është e munduar sepse Kurti e Muarati kanë thënë me plot gojën se ka ngritje të lartë ekonomike, ka rritje të lartë të të hyrave dhe se buxheti është më i larti në 22 vitet e lirisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e SBAShK-ut.