Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës i ka reaguar ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila të enjten deklaroi se do të mbahen orët plotësuese. Nagavci mes tjerash tha se fatkeqësisht përgjegjës për rezultatet e ulëta të nxënësve në arsim është edhe SBAShK-u.
SBAShK-u ka kërkuar nga Nagavci që të ruhet nga deklarimet të cilat mund të lexohen si kërcënim.
“Është e natyrshme që MAShTI të përgjigjet e të reagojë ndaj deklarimeve të SBAShK-ut për çështjet e ngritura e të bëra publike, por përgjigja duhet të jetë e mbështetur në argumente të qëndrueshme e në fakte e jo në fjali të veshura me mllef e akuza që nuk qëndrojnë. E nderuar Ministre as një fakt nuk e ke ofruar në kuadër të akuzës se edhe SBAShK qenka përgjegjës për “rezultatet e ulëta” në arsim. SBAShK nuk ka qenë kreator i reformave, as i kurrikulit, as përpilues e botues i teksteve shumë të kritikuara shkollore e as nuk shpall konkurse e as nuk pranon kuadro në arsim. SBAShK-u as nuk solli vendim që të lirohen nga puna punëtoret shtatzëna e as që ato të zëvendësohen me studentë, kur në Kosovë ka mjaft kuadro të diplomuara që janë duke pritur me vite për të punuar bile ca ditë a javë në arsim”, thuhet mes tjerash në reagimin e tyre.
Nga SBAShK-u kanë përmendur sakrificën sublime për mbrojtjen e arsimit shqip në vitet e okupimit, dhe gjatë periudhës së pandemisë.
“E nderuara Ministre anëtarësia e SBASHK-ut edhe në vitet e okupimit bëri sakrifica sublime duke mbrojtur arsimin shqip edhe tani në kohë pandemie po bën angazhime të vazhdueshme për të mbajtur sa më gjatë e sa më mirë procesin mësimor edhe për kundër numrit të madh të të prekurve me Covid. Ne madje u angazhuam dhe arritëm të gjejmë mundësi bashkë me institucionet që të lirohen nga procesi mësimor punëtorët arsimorë me sëmundje të rënda, por të tjerët as edhe këtë marrëveshje nuk e realizuan ashtu si duhet. Ne vazhdojmë të japim kontribut konkretet në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë duke inkurajuar e mobilizuar anëtarësinë e duke mbajtur pa u ndalur trajnime pa pasur mbështetjen e askujt dhe duhet parë të tjerët a po kanë angazhime konkrete në këtë përpjekje”, thonë nga SBAShK-u./UBTNews