Edhe pse kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (SBAShK) ka dorëzuar sot Draft Kontratën e re Kolektive të Arsimit, në arkivin e MASHTi-t, Rrahman Jashari nuk u prit nga ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci.
Jashari, ka theksuar se është e katërta herë që i dërgon shkresa Nagavcit, por ajo në njëfarë forme, po i anashkalon takimet me SBAShK-un, duke thënë se “ka shumë takime brenda dhe jashtë vendit”.
Sipas tij si arsye e këtij “inati” të saj me SBAShK-un është që nga greva e mbajtur në vitin 2022.
“Sot në arkivin e MASHTi-t, ne dorëzuam draft kontratën e re kolektive të arsimit të Kosovës. Kontratë e cila përfshinë sistemin arsimorë që nga çerdhja deri në universitet. Kemi përgatitë draftin nga komisionet gjetës. I kemi bërë katër shkresa zonjës Nagavci dhe kabinetit të saj që në një ceremoni çoftë edhe modeste solemne, po ia dorëzojmë me një ekzemplarë tek tekstet e kontratës, përgjigjet kanë qenë vazhdimisht na jepni një kohë sepse, Nagavci paska shumë angazhime brenda dhe jashtë Kosovës, që ne kur e themi në gjuhën tonë, “nuk deshi të na takojë që nga greva e këndej”, e as sot për ta dorëzuar një ekzemplarë të kontratës”, ka thënë Jashari.
Duke shpresuar që ky inat të kalojë, Jashari shton se kjo është në dorë të ministres Nagavci dhe nëse ajo thotë se ndonjë nenë nuk është i qëlluar, atëherë komisioni do ta heq një nen të tillë.
“Uroj që ky inat e ky qëndrim kundër sindikatave dhe kundër SBAShK-ut t’i tejkalojë Nagavci dhe bashkë ta formojë pjesën tjetër të komisionit… Kontrata që e dorëzuam sot nuk ka dallime të mëdha, janë ruajtur të gjitha benefitet që i ka pasur kontrata e kaluar, ngase edhe sipas konventave ndërkombëtare dhe ato gjëra që fitojnë njëherë nuk bën të mohohen, së paku jo nga ne, por kemi bërë edhe ndonjë shtesë eventuale dhe gjithë kjo kontratë, ky draft, e ka mundësinë, e ka misioni i Nagavcit ta debatojë, diskutojë, të ulet me komisionin tonë dhe nëse ata na bindin se ndonjë nen nuk është i qëlluar, normal që komisioni do të konsultohet me bazën dhe do ta heq një nen të tillë”, ka shtuar ai.
Sipas Jasharit, sjellja e ministres, nuk është e duhura sepse kjo kontratë është obligative edhe nga ana e MASHTi-t.
Kjo kontratë, parasheh rregulla strikte që duhet të përmbahen nga punëtorët dhe punëdhënësit.
Sipas tij, pa këtë kontratë secili mund të sillet sipas “tekave” të tyre dhe në këtë mënyrë arsimi del jashtë “binarëve”
“Nëse Nagavci, del haptas dhe thotë “jo” kësaj kontrate, atëherë, i mbetet anëtarësisë sonë, cilido që është vendimi dhe zëri i anëtarësisë sonë, si në të kaluarën dhe tani do ta realizojmë, por nuk është mirë në këtë kohë të fillojë viti shkollor, ne nuk bëmë grevë edhe pse kishim kërkesa të parealizuara dhe nuk është mirë që Nagavci të sillet kështu sidomos ndaj kontratës e cila është obligim nga një anë e MASHTi-t dhe SBAShK-ut. Parasheh edhe rregulla strikte që duhet të përmbahen edhe punëtorët edhe punëdhënësit. Pa këtë kontratë, secili mund të sillet sipas tekave, e pastaj arsimi na del jashtë binarëve dhe shumë më keq sesa kur kemi kontratë”, ka theksuar Jashari.
Sipas ligjit të punës, kontratat e sektorëve duhet çdo tre vite të ri- negociohen e të nënshkruhen.