UBT News

SBAShK-u do të takohet me të gjitha partitë për kërkesat e tyre, s’u premtojnë votat e mësimdhënësve

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK) do të takohet me të gjitha subjektet politike me qëllim të informimit rreth kërkesave të tyre, pasi që më shumë se një muaj kanë mbetur deri në ditën e zgjedhjeve nacionale.

I pari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj thotë se takimet do t’i mbajnë me të gjitha subjektet politike për t’i përmbushur kërkesat e tyre. Ndërkaq u shpreh se nuk mund t’ua garantojnë asnjërës parti se do t’i ketë votat e punëtorëve të arsimit.

“Mund të lexohet, edhe subjektet politike edhe opinioni duhet ta di se mësimdhënësit e Kosovës janë votues të partive të ndryshme dhe ne e dimë këtë, dhe SBAShK-u nuk mund t’i sigurojë dhe t’i garantojë asnjërës parti se do t’i ketë votat e punëtorëve të arsimit, ngase ata te kutia e votës e japin votën për atë që mendojnë se është më i mirë për momentin, por qëllimi jonë është që t’i ndihmojmë se në programin e tyre të punës, së paku sektorin e arsimit ta kenë më të qartë, të dinë cilat janë kërkesat tona që kur ta marrin pushtetin mos të paraqiten se nuk e kanë ditë problemet në arsim”, deklaroi ai.

Jasharaj ka folur edhe për numrin e të infektuarve nga COVID-19 sa i përket mësimdhënësve dhe nxënësve. Ai ka shtuar se kanë qenë të infektuar 2 mijë e 301 mësimdhënës, duke përfshirë edhe punëtorët teknik, dhe 1 mijë e 740 nxënës.

“Unë po thirrem vetëm në një shifër që e kemi marrë gjatë komunikimit me MASh-in, që numri i të prekurve me Coronavirus kishte shënuar shifrën 2 mijë e 301 punëtorëve arsimorë, mësimdhënës apo ata teknik dhe diku 1 mijë e 740 nxënës vetëm në këtë periudhë dhe kjo ka ndikuar që IKShPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë, duke e parë një ngritje të tillë që ta përfundojë para kohe pjesën e parë të mësimit”, deklaroi Jasharaj.

Pas rritjes se rasteve me Covid-19 në shkolla, Qeveria kishte marrë vendim që të përfundojë gjysmëvjetori i parë me 18 dhjetor, ndërsa parashihet të vazhdojë me 18 janar.

Exit mobile version