Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBAShK) ka kërkuar që Ligji për Skemat Pensionale të ndryshohet në mënyrë që mësimdhënësve t’u njihet përvoja si kontributdhënës qysh nga vitet e 90-ta.
Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se punonjësit e arsimit janë të pakënaqur me ndryshimin e ligjit për skemat pensionale. Sipas Jasharajt, me këtë ndryshim të gjithë mësimdhënësve puna në vitet e 90-ta nuk do t’u numërohet si pension, por vetëm si numër.
“Nuk kemi pasur qasje kur është punuar në ndryshimin e skemave pensionale të financuara nga shteti. Ato fjalë që kanë qenë ne i kemi duartrokitur duke menduar sepse edhe jemi angazhuar që përveç punëtorëve të arsimit, që ligji që ishte aktual u ka pranuar vitet e 90-ta vite kontributdhënëse, duke u bazuar në faktin se ata edhe në atë kohë kanë punuar dhe e kanë mbrojtur sistemin arsimor shqip. Duke u bazuar në një vendim të Hekuran Muratit kemi analizuar se këto ndryshime nuk janë bërë për të mirë, për të keq e veçmas për punëtorët e sektorit të arsimit, të pensionuarit por edhe ata që do të pensionohen, ngase vitet 90-ta ndryshimeve të ligjit e largon që e përcakton sa vite kontribut dhënëse i’u njihen punëtorëve të arsimit që kanë punuar. Vitet 90-ta tani më edhe atyre edhe neve na numërohen vetëm si numra, ndërsa përshkallëzimi dhe vlera e pensionit bazohet vetëm në vitet që kinse të punësuarit paskan dhënë kontribute gjatë ekzistimit të krahinës autonome të Kosovës”, potencoi Jasharaj.
Jasharaj tregoi se si sindikatë kanë paraqitur ankesën e tyre tek Avokati i Popullit dhe se presin që kjo çështje të adresohet te Gjykata Kushtetuese në mënyrë që e gjithë puna e mësimdhënësve të vlerësohet si pension.
“Kemi pasur takime me Avokatin e Popullit dhe i kemi adresuar këto ankesa tona. Problem tjetër është dhe viti 2001 deri në vitin 2002 kur ka filluar trusti pensional nuk janë përfshirë, kanë mbetur në vakuum dhe se këto vite duhet pranuar si kontributdhënëse, njerëzit duhet të dalin me pensionin e merituar e jo vetëm për një javë dhe një muaj të humbin këtë të drejtë. Jemi të bindur se Avokati Popullit do të dërgojë në Kushtetuese çështjen dhe prapë do të obligojë qeverinë që të përmirësojë këto lëshime që të njihen si vite kontribuuese vitet e 90-ta. Ne nuk kemi faj pse dikush nuk e krijoj në atë kohë as trustin e as ndonjë sistem tjetër për të ndal kontributin për ato vite”, tha Jasharaj.