Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, u ul sot në bankën e të akuzuarve në një gjyq të shumëpritur, ku ai akuzohet për financimin e paligjshëm të fushatës së tij presidenciale të vitit 2007 nga regjimi i ish-udhëheqësit libian, Moamer Gaddafi. Ky proces, i cili nisi në Gjykatën Penale të Parisit, shënon një moment të rëndësishëm në historinë politike dhe juridike të Francës.
Sarkozy, i cili udhëhoqi vendin nga viti 2007 deri në vitin 2012, akuzohet për pranim të financimeve të paligjshme në vlerë prej miliona eurosh nga Libia. Prokuroria pretendon se këto fonde, të transferuara përmes rrugëve të dyshimta, ndihmuan në financimin e fushatës së tij që e çoi drejt presidencës.
Së bashku me Sarkozy, në bankën e të akuzuarve ndodhen edhe 12 individë të tjerë, përfshirë ish-ministrat Claude Guéant, Brice Hortefeux dhe Éric Woerth. Ata përballen me akuza për financim të paligjshëm të fushatës, shpërdorim të fondeve publike dhe ryshfet.
Nëse shpallet fajtor, Sarkozy rrezikon një dënim deri në 10 vjet burg, së bashku me një gjobë të rëndë financiare. Të njëjtin dënim mund të përballojnë edhe disa nga bashkëpunëtorët e tij kryesorë. Ky rast ka përfshirë hetime të gjera ndërkombëtare, me kërkesa për ndihmë juridike nga 21 vende dhe mbi 73 procesverbale që formojnë bazën e akuzave. Dëshmitë përfshijnë dokumente financiare dhe deklarata të disa zyrtarëve libianë që pohojnë lidhjen e Sarkozy me fondet e Gaddafit.
Ky nuk është rasti i parë që Sarkozy përballet me drejtësinë. Në dhjetor të vitit të kaluar, ai u dënua me një vit burg për ryshfet dhe ndikim të paligjshëm, duke u urdhëruar të mbajë një byzylyk elektronik si pjesë e dënimit të tij. Marrëveshjet mbi këtë dënim pritet të finalizohen në javët në vijim.
Seancat e gjyqit, të planifikuara të zgjasin deri më 10 prill, pritet të jenë një spektakël mediatik dhe politik. Çështja ka shkaktuar tronditje të mëdha në skenën politike franceze, duke vënë në pikëpyetje integritetin e figurave të larta shtetërore.
Nicolas Sarkozy vazhdon të mohojë çdo akuzë, duke i cilësuar ato si një komplot politik dhe një sulm ndaj trashëgimisë së tij si president. Megjithatë, presioni mbi të dhe bashkëpunëtorët e tij sa vjen e rritet, ndërsa opinioni publik pret me kureshtje përfundimin e këtij procesi historik./UBTNews/