Bashkësia ndërkombëtare nuk e njeh qeverinë e talebanëve.
E gjendur para faktit të rënies së qeverisë afgane, administrata Biden ka bllokuar asetet e Bankës Qendrore Afgane dhe transfertat e parave.
Me këtë veprim, talebanët humbasin qasjen në 9.5 miliardë dollarë. Shumica e këtyre aseteve ruhen në Bankën Federale të Rezervave në Nju Jork dhe institucione tjera amerikane.
Uashingtoni ka bllokuar edhe gjysmë miliardë dollarë financime përmes Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Ndërkohë, edhe Bashkimi Europian ka njoftuar se do të pezullojë ndihmat dhe tregtinë me talebanët.
Përballja me këto sanksione do të vendosë në vështirësi regjimin e ri në Afganistan, edhe pse talebanët sinjalizuan raporte paqësore me kundërshtarët vendas dhe shtetet e huaja, në regjimin që ata do të ndërtojnë.
Zyrtarët amerikanë e shohin ngrirjen e aseteve financiare, si formë trysnie që talebanët të respektojnë marrëveshjet e paqes, por nga ana tjetër, këto veprime rrezikojnë që të rrisin prodhimin e opiumit dhe shitjen ilegale të tij, si një nga burimet më fitimprurëse të kësaj organizate./euronews.al