UBT News

Samsung reagon pas padisë së Dua Lipës për përdorim të paautorizuar të imazhit

Samsung ka reaguar ndaj padisë së ngritur nga këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e cila akuzon gjigantin teknologjik për përdorim të paautorizuar të imazhit të saj në paketimet e televizorëve.

Në një deklaratë për Billboard, kompania ka bërë të ditur se imazhi i artistes është përdorur gjatë vitit 2025 në kuadër të përmbajtjeve të partnerëve të palës së tretë të shërbimit “Samsung TV Plus”.

Sipas Samsungut, partneri përkatës kishte dhënë “garanci të qartë” se ishin siguruar të gjitha lejet e nevojshme për përdorimin e fotografisë, përfshirë edhe përdorimin në paketime.

“Imazhi i zonjës Lipa është përdorur vetëm pas sigurimit të qartë nga partneri i përmbajtjes se leja ishte marrë. Bazuar në këtë garanci, ne i hedhim poshtë pretendimet për keqpërdorim të qëllimshëm”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Samsung ka theksuar gjithashtu se ka respekt për Dua Lipën dhe të drejtat e pronësisë intelektuale të artistëve, duke shtuar se mbetet i hapur për një zgjidhje konstruktive të rastit me ekipin ligjor të këngëtares.

Ndërkohë, avokatët e Dua Lipës kanë ngritur padi në gjykatën federale në Los Angeles, duke pretenduar se imazhi i artistes është përdorur pa autorizim në kutitë e televizorëve Samsung, pa leje dhe pa kompensim financiar.

Sipas tyre, përdorimi i fotografisë ka vazhduar edhe pas kërkesave për ndalimin e menjëhershëm të saj.

Ekipi ligjor i artistes kërkon 15 milionë dollarë dëmshpërblim, duke argumentuar se fotografia e Dua Lipës është përdorur në një fushatë të gjerë marketingu në SHBA gjatë viteve 2025 dhe 2026, duke përfituar në mënyrë të padrejtë nga imazhi i saj.

Në padi thuhet se Dua Lipa nuk ka qenë në dijeni dhe nuk ka dhënë asnjëherë pëlqim për përdorimin e imazhit të saj, ndërsa rasti është cilësuar nga avokatët si shkelje serioze e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe identitetit personal.

Exit mobile version