Udhëheqësit botërorë dhe drejtuesit e teknologjisë u mblodhën sot në Paris për të diskutuar se si të përvetësohet me siguri inteligjenca artificiale në një kohë të rezistencës në rritje ndaj burokracisë që bizneset thonë se po mbyt inovacionin, sipas “Reuters”.
Dëshira për të frenuar IA-në është zbehur që nga samitet e mëparshme në Britani të Madhe dhe Korenë e Jugut që përqendruan vëmendjen e fuqive botërore në rreziqet e teknologjisë pas lançimit viral të ChatGPT në 2022.
Ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka refuzuar barrierat e sigurisë së inteligjencës artificiale të paraardhësit të tij për të promovuar konkurrencën e SHBA-së, presioni është rritu mbi Bashkimin Evropian për të ndjekur një qasje më të lehtë ndaj IA-së për të ndihmuar në mbajtjen e kompanive evropiane në garën e teknologjisë.
“Nëse duam rritje, vende pune dhe progres, ne duhet të lejojmë inovatorët të inovojnë, ndërtuesit të ndërtojnë dhe zhvilluesit të zhvillohen”, tha CEO i “OpenAI” Sam Altman në një artikull në gazetën “Le Monde” përpara samitit.
Disa liderë të BE-së, duke përfshirë pritësin e samitit, presidentin francez Emmanuel Macron, gjithashtu shpreson se fleksibiliteti do të zbatohet në Aktin e ri të IA-së së bllokut për të ndihmuar bizneset fillestare.
“Ka një rrezik që disa vendosin të mos kenë rregulla dhe kjo është e rrezikshme. Por ekziston edhe rreziku i kundërt, nëse Evropa vendos shumë rregulla”, u tha Macron gazetave rajonale franceze.
Masat e hershme të Trump në lidhje me IA-në nënvizuan se sa shumë kanë ndryshuar strategjitë për të rregulluar inteligjencën artificiale në SHBA, Kinë dhe BE. Ligjvënësit evropianë miratuan vitin e kaluar Aktin e IA-së së bllokut, grupi i parë gjithëpërfshirës në botë i rregullave që rregullojnë teknologjinë. Gjigantët e teknologjisë dhe disa kryeqytete po bëjnë presion që ai të zbatohet me butësi.
Ndërkohë, “DeepSeek” i Kinës sfidoi lidershipin e IA-së së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, muajin e kaluar duke shpërndarë lirshëm një sistem arsyetimi të ngjashëm me njeriun, duke nxitur rivalët gjeopolitikë dhe të industrisë që të garojnë më shpejt./UBTNews/