UBT News

Samiti për Klimën nis punimet në Baku

Liderë shtetesh, ministra dhe zyrtarë tjerë prej gati 200 shteteve të botës mblidhen të hënën në Azerbajxhan për t’i ndjekur punimet e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.

Fokusi do të jetë se si të parandalohet ngrohja globale, por edhe pasojat e saj vdekjeprurëse.

Në këtë konferencë dyjavore pritet të adresohen përkushtimet financiare për shtetet e varfra që janë prekur nga valët e të nxehtit, stuhitë dhe vërshimet, dhe që intensiteti i tyre është rritur për shkak të ndryshimeve klimatike.

Shtetet në zhvillim dhe organizatat për ambientin presin nga shtetet e pasura që të mobilizohen për t’i ndarë të paktën 1 trilion dollarë në vit – 10 herë më shumë sesa zotimi aktual prej 100 miliardë dollarëve në vit.

Për të financuar këtë rritje, aktivistë për klimën janë duke propozuar rritjen e taksave për të pasurit, si dhe vendosjen e taksave shtesë për nxjerrje të qymyrit, naftës dhe gazit.

Organizatat joqeveritare shqetësohen se samiti i njohur si Konferenca e Palëve, apo COP29, do të mbetet në hije nga fitorja e Donald Trumpit si president amerikan.

Pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2016, ai pati urdhëruar largimin e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.

Sipas raportimeve të së përditshmes amerikane New York Times, gjatë fundjavës, Trump jo vetëm që planifikon largimin prej Marrëveshjes së Parisit, por edhe për zhvendosje të selisë së Agjencisë për Mbrojtje të Ambientit larg Uashingtonit, dhe që do t’i ndryshojë politikat, të cilat i mundësojnë nxjerrjen e naftës dhe qymyrit.

Dhjetëra mijëra zyrtarë, gazetarë, aktivistë dhe lobistë politikë pritet të marrin pjesë në konferencën e organizuar në Azerbajxhan, ish-republikë sovjetike, në të cilën liria e shprehjes është tejet e kufizuar./REL/

Exit mobile version