Në intervistën e dhënë për KosovaPress, Nissinen deklaron se arkitektura e sigurisë ndërkombëtare po sfidohet shumë dhe kjo është arsyeja se pse bota ka nevojë për demokraci të forta, si Kosova dhe Finlanda.
Mes tjerash, ambasadori finlandez thekson se komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë mbështetjen e palëkundur për Ukrainën, pasi situata e sigurisë në botë është mjaft shqetësuese.
“Për të filluar me analizën gjeopolitike, për momentin do të thosha se është mjaft shqetësuese në përgjithësi në botë, kemi aq shumë përshkallëzime dhe gjithashtu përshkallëzime të mundshme globale sa që personalisht jam mjaft i shqetësuar, duket sikur arkitektura e sigurisë ndërkombëtare po sfidohet shumë, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për demokraci të forta si Kosova dhe Finlanda për të mbrojtur këtë arkitekturë. Është e qartë se ngjarja më e rëndësishme dhe më vendimtare që po ndodh në këtë moment është agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës. Unë mendoj se ne, komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojmë mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën, financiarisht dhe ushtarakisht për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Dhe unë mendoj se kjo është një javë shumë e rëndësishme kur bëhet fjalë për vendimmarrjen evropiane, për vazhdimin e mbështetjes së fortë për Ukrainën, dhe shpresoj që të gjithë liderët të marrin vendime të mira të enjten dhe të premten”, thotë ai.
Samiti i liderëve të BE-së po i vazhdon punimet edhe sot dhe nesër, ku temë diskutimi do të jetë lufta pushtuese e Rusisë ndaj Ukrainës, situata në Lindjen e Mesme, politika e zgjerimit të BE-së, si dhe disa çështje të tjera të BE-së.
Ndërkaq, dje (e mërkurë) në këtë samit është diskutuar për situatën në Ballkanin Perëndimor, ku iu bë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë marrëveshjen e Brukselit.