Liderët evropianë kanë riafirmuar mbështetjen e tyre për Ukrainën në mbyllje të samitit të Komunitetit Politik Evropian, me kryeministren e Danimarkës që paralajmëroi se Rusia po e teston Evropën përmes provokimeve dhe sulmeve hibride.
Duke iu referuar Ukrainës, Mette Frederiksen tha se takimet konfirmuan mbështetjen tonë të palëkundur përballë provokimeve në rritje nga Moska drejt Evropës.
“Është e qartë për të gjithë se Rusia është një kërcënim, jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Evropën. Rusia po na vë në provë dhe më shumë se kurrë, ne duhet të qëndrojmë të fortë së bashku”, tha ajo.
Ajo gjithashtu ka përmendur shkeljet e hapësirës ajrore nga Rusia, sulmet me dronë, presionin mbi kufijtë, ndërhyrjen në zgjedhjet demokratike dhe sulmet kibernetike mbi infrastrukturën kritike.
Frederiksen bëri thirrje për mbështetje më të fortë për Kievin, si përmes furnizimeve me armë ashtu edhe përmes sanksioneve shtesë kundër Rusisë.
“Do të doja që të gjithë evropianët ta shihnin në këtë mënyrë, se çdo euro ose dollar ose koronë daneze që i dërgojmë Ukrainës është një investim i drejtpërdrejtë në sigurinë evropiane. Detyra që kemi përpara është ta bëjmë Evropën aq të fortë sa një luftë kundër nesh të mos jetë më një opsion.”, shtoi Frederiksen.
Lidhur me çështjen e zgjerimit të BE-së, Frederiksen theksoi se 26 shtete anëtare janë të bashkuara, pavarësisht kundërshtimit të Hungarisë ndaj anëtarësimit të Ukrainës në bllok.
Kujtojmë, EPC u lansua në vitin 2022 me iniciativën e presidentit francez Emmanuel Macron në përgjigje të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës. Ajo u krijua si një forum për dialog dhe bashkëpunim midis kombeve evropiane, si brenda ashtu edhe jashtë BE-së, pa formalitetin e vizitave shtetërore, transmeton Anadollu./S.K/KP/