UBT News

Samiti i G20-s ndryshon planet, Macron tenton të ‘shkrijë akujt’ me Kinën

Liderët e Bashkimit Evropian u mblodhën për ditën finale të samitit të G20-s në Rio de Zhaneiro, ku diskutimet kishin si fokus luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, si dhe pasiguritë që mund të sjellin politikat amerikane, të cilat mund të ndryshojnë nën udhëheqjen e Donald Trump.

Në fjalimin e tij, presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, bëri thirrje për më shumë aksion në luftën kundër ngrohjes globale, duke propozuar që vendet e zhvilluara të rishqyrtojnë objektivat për klimën dhe të i kalojnë ato nga viti 2050 në vitin 2040, ose më së voni në vitin 2045.

Ndërkohë, në kuadër të samitit, presidenti francez Emmanuel Macron u takua kokë më kokë me presidentin kinez Xi Jinping. Macron riafirmoi angazhimin e Francës për të forcuar marrëdhëniet me Kinën dhe theksoi se dy vendet ndajnë një vizion të përbashkët për paqen në Ukrainë. Ai u shpreh se Franca dhe Kina mbështesin zbatimin e Statutit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe promovimin e paqes globale.

“Ne ndajmë një vizion të përbashkët për zbatimin e Statutit të OKB-së dhe promovimin e paqes. Pas 1 mijë ditësh lufte që ka nisur Rusia ndaj Ukrainës, unë e di që sikurse ne, edhe ju keni dëshirën për një paqe afatgjatë dhe shqetësoheni për retorikën ushtarake dhe bërthamore të Rusisë”, deklaroi Macron gjatë takimit me Xi Jinping.

Kjo deklaratë vjen në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet ndërkombëtare, pasi Kina ka paralajmëruar mundësinë e vendosjes së taksave për produktet franceze, duke rrezikuar një përshkallëzim të mundshëm të një lufte tregtare mes dy vendeve. Macron, megjithatë, kërkoi të ulë tensionet dhe të forcojë lidhjet e Francës me Kinën, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit për zgjidhjen e krizave ndërkombëtare./UBTNews/

Exit mobile version