UBT News

Samiti i Brdo-së, BE e shqetësuar për gatishmërinë e bllokut për zgjerim

Bashkimi Evropian mbështet perspektivën europiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe “rikonfimron përkushtimin e tij për procesin e zgjerimit” të bllokut. Kështu thuhet në deklaratën e Samitit të Bërdos në Slloveni, që do të mbahet të mërkurën mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

BE rikonfimon përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit dhe vendimeve të marra bazuar në reformat e besueshme nga partnerët, kushtëzim i drejtë dhe rigoroz dhe në parimet  e meritave individuale.

Fjalët që synojnë t’i japin më shumë siguri vendeve të Ballkanit u janë shtuar një tekstit në draft-deklaratat e mëhershme të samitit.

Por megjithatë, në tekstin e parë nga EuObserver, BE përfshin gjithashtu një paragraf të ri qe shpreh shqetësim për gatishmërinë e bllokut për të pranuar anëtarë të tjerë.

“Ndërsa njohim progresin e bërë nga Ballkani Perëndimor ne gjithashtu ritheksojmë rëndësinë që BE-ja të ruajë dhe thellojë zhvillimin e vet, përfshirë kapacitetin e saj për të integruar anëtarë të rinj”, thuhet në dokument.

Pak ditë më parë, agjencia e lajmeve Reuters teksa citoi një draft deklaratë të samitit, tha se nuk kishte pajtim për zgjerimin mes shteteve anëtare.

Mesazhet që vijnë nga BE janë kontradiktore; nga njëra anë presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen premtoi të ardhme europiane gjatë vizitës në Ballkanin Perëndimor. por nga ana tjetër Bullgaria vijon të vendosë veton ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, e rrjedhimisht Shqipërisë. Gjermania po ashtu po udhëheq bisedimet e brendshme të BE për pezullim të lëvizjes pa viza nga vendet e rajonit, për shkak të rritjes së kërkesave për azil.

Exit mobile version