Tirana do të jetë qyteti mikpritës për takimin e radhës së Ballkanit të Hapur, që kësaj here veç Këshillit të Atlantikun do të përfshijë edhe Komisionin Evropian.
Sot dhe nesër, liderët e tri vendeve të përfshira në këtë proces, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai maqedonas Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq do të zyrtarizojnë këtë iniciativë që synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbime dhe kapitaleve duke nënshkruar pesë marrëveshje.
Zaev dhe Vuçiq, të shoqëruar nga disa ministra të tyre dhe krerët e dhomave të tregtisë së vendeve të tyre, do të mbërrijnë në Tiranë sot pasdite.
Ditën e parë është parashikuar një darkë zyrtare në një resort në Elbasan, ku do jenë të pranishëm dhe një përfaqësues i Këshillit Atlantik Jim O’Brien si dhe Alex Soros, drejtuesi i fondacioni Shoqëri e Hapur.
Të martën takimi do të nisë në orën 9 në pallatin e Brigadave. Ekipeve të tri vendeve do t’i bashkohet dhe komisionari për zgjerim Oliver Varhely online, si dhe drejtori i CEFTA-s Emir Gjikiq, si dhe Majlinda Bregu si sekretarja e përgjithshme e Këshillit i Bashkëpunimit rajonal.
Marrëveshja e parë që do të nënshkruhet nga Rama, Vuçiq e Zaev është për kushtet për qasjen e lirë në tregun punës. Marrëveshjet e tjera kanë të bëjnë me skemat e përbashkëta për identifikimin elektronik të qytetarëve në pikat kufitare, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore, për njohjen e ndërsjellë për operatorët ekonomikë.
Takimi i Tiranës mbyllet me konferencën e përbashkët për shtyp të tre liderëve.
Në ditën e parë të këtij samiti një pjesë e opozitës shqiptare e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, ka lajmëruar protestë para Kryeministrisë kundër nismës “Ballkani i Hapur”.
Para takimit në Tiranë, përmes një letre publikuar në gazetën malazeze “Dan”, Rama, Vuçiq dhe Zaev, ftuan Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje – Hercegovinën të bëhen pjesë e Open Balkan, që konsiderojnë si vizion për tejkalimin e pengesave sociale, ekonomike dhe tregtare që ngadalësojnë rritjen ekonomike të rajonit nëpërmjet zbatimit të katër lirive themelore të BE-së.
Takimi i sotëm do të shoqërohet me protesta përpara kryeministrisë kundër nismës “Open Ballkan”. Ishte ish-kryeministri Sali Berisha që njoftoi dy ditë më parë këtë protestë në mbrojtje të interesit kombëtar.
Ndryshe, Ballkani i Hapur është nisma e re e bashkëpunimit rajonal mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë Veriore. Emërtimi i ri i nismës u prezantua më 21 korrik 2021, në Shkup në mbyllje të punimeve të pjesës zyrtare të Forumit Ekonomik.
Rama, Zaev dhe Vuçiq në kuadër të forumit nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk do të bëhet pjesë e nismës Ballkani i Hapur.
“Qeveria e Kosovës është Qeveri e një shteti sovran. Ne përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar masivisht, si asnjëherë më parë, dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Kosovës, me një Serbi që mohon krimet e luftës, dhe nuk e njeh pavarësinë, të bëhemi bashkë e të vendosim me shumicë votash aty”, pati deklaruar Kurti.