UBT News

Samiti “Ballkani i Hapur”, zbardhet agjenda

Tirana do të jetë qyteti mikpritës për takimin e radhës së Ballkanit të Hapur, që kësaj here veç Këshillit të Atlantikut do të përfshijë edhe Komisionin Evropian.

Tashmë është zbardhur agjenda e takimit ku liderët e tri vendeve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të zyrtarizojnë këtë iniciativë që synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve duke nënshkruar pesë marrëveshje. Sipas agjendës, takimi do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave.

Në orën 09:05 pritet takimi i Ramës, Zaev dhe Vuçiç, ndërsa në 09:30 nisja e seancës plenare me fjalën hyrëse të kryeministrit Edi Rama.

Në orën 10:45 do të zhvillohen diskutimet e liderëve për të ardhmen e Agjendës së “Ballkanit të Hapur” dhe në orën 11:30 do të zhvillohet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve.

Në orën 12:00 do të mblidhet Forumi i Agrikulturës dhe Kooperimit Rajonal.

Ndërsa në orën 13:00 parashikohet një konferencë për shtyp.

Ndryshe, “Ballkani i Hapur” është nisma e re e bashkëpunimit rajonal mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë Veriore. Emërtimi i ri i nismës u prezantua më 21 korrik 2021, në Shkup në mbyllje të punimeve të pjesës zyrtare të Forumit Ekonomik.

Rama, Zaev dhe Vuçiq në kuadër të forumit nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk do të bëhet pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”.

Exit mobile version