Trupi gjykues ka caktuar shumën 207 mijë euro për dëmshpërblim të viktimave në çështjen gjyqësore kundër Salih Mustafës.
Sipas trupit gjykues, kjo shumë do të ndahet në tetë viktima dhe përgjegjësinë e kompensimit sipas gjykatës, e mban Salih Mustafa
Urdhri për zhdëmtim është caktuar në seancën e së enjtes në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Trupi gjykues lëshon urdhër për zhdëmtim kundër zotit Mustafa, konstaton se viktima 8,9,10,5,6,12,11 dhe 13 provuan në bazë të standardit të vërtetimit të tërësisë së gjasave se janë viktimave të krimeve për të cilat zoti Mustafa u shpall fajtor. Vendos për dëmshpërblim për viktimat e drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta. Akordon zhdëmtim individual në formë të kompensimit. Cakton si shumë të zhdëmtimit për të cilin zoti Mustafa është përgjegjës vlerën 207 mijë euro, urdhëron zotin Mustafa të paguajë si kompensim për dëmin e shkaktuar 30 mijë euro viktimës 8, 80 mijë euro viktimës 9, 60 mijë euro viktimës 10, nga 10 mijë euro viktimave 5,6 dhe 12, 5 mijë euro viktimës 11 dhe 2 mijë euro viktimës 13. Kjo dueht të realizohet brenda afatit që do të përcaktohet nga autoriteti gjyqësor përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrës të vënies në jetë dhe zbatimit të urdhrit për zhdëmtim”, ka thënë kryetarja e turpit gjykues.
Salih Mustafa është i dënuar më 26 vjet burg nga Gjykatat Speciale.
Ai është shpallur fajtor për krime lufte, ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme.