Sot, në orën 15:00, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Salih Mustafës.
Sipas një njoftimi të Dhomave të Specializuara të Kosovës, aktakuza kundër Salih Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020.
Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më të njëjtën ditë.
Po sipas njoftimit, aktakuza e ngarkon Salih Mustafën me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare.
Paraqitja e parë e Salih Mustafës do të mbahet në seancë publike e cila mund të përcillet përmes transmetimit në Internet, me një vonesë të shkurtër në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim.
Seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit brenda mjediseve të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Gjithashtu, DHSK-ja ka një qendër të posaçme për median nga e cila gazetarët mund të punojnë dhe përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër.
Në njoftim thuhet se për shkak të masave për të parandaluar përhapjen e COVID-19, numri i ulëseve në galerinë publike dhe në qendrën për median do të jetë shumë i kufizuar dhe regjistrimi paraprak është i nevojshëm. /Telegrafi