Në Gjykatën Speciale nga Hagë ka nisur seanca e dytë ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës. Mustafa është deklaruar i pafajshëm për katër akuzat e ngritura ndaj tij nga Specialja.
Mustafa deklaroi se lufta për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme.
“Unë Salih Mustafa, ish-luftëtari i lirisë dhe ish-epror i UÇK-së, duke besuar thellë në betimin e ushtarit të UÇK-së, dhe moralin e bashkëluftëtarëve të mi, duke qenë thellë i bindur se lufta për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme, sepse okupimi i gjatë me përmasa gjenocidale, si dhe pas luftërave pushtuese të këtij kasapi në Kroaci dhe Bosnjë, mua dhe popullit tim nuk na kishte lënë shumë zgjidhje, o të përfundonim të përndjekur në kampet perëndimore, pa nder, pa atdhe e pa liri, ose të organizoheshim në një rezistencë të gjithanshme, që kulmoi me luftën çlirimtare për liri e pavarësi”, deklaroi ai.
Mustafa deklaroi se UÇK-ja s’ka qenë kurrë bandë kriminale.
“Duke besuar në moralin tim dhe bindjet ë mia, karakterin tim që e kam ndërtuar përgjatë 34 viteve të jetës sime, në shërbim të atdheut, të rrugës drejt lirisë, si dhe në shërbim të institucioneve demokratike të shtetit tim, duke qenë thellë i bindur se UÇK-ja s’ka qenë kurrë bandë e organizuar kriminale, por një ushtri çlirimtare që lindi nga populli, dhe e cila me shumë mund e sakrifica, duke derdhur edhe gjakun e vajzave dhe djemve të kombit, është bërë gurthemel i lirisë që e gëzojmë”, deklaroi ai./UBTNews