Ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi sot në një konferencë për shtyp se ka depozituar padinë për shpifje ndaj Sekretarit të Shtetit Amerikan Antony Blinken.
Berisha deklaroi se është hera e parë që i drejtohet një gjykate dhe për të është e paimagjinueshme që të ngrejë padi ndaj sekretarit të shtetit të një vendi për të cilin ka një vlerësim të lartë.
“Sot, pas 77 vitesh jetë, kjo është hera e parë që unë i drejtohem një gjykate dhe kurrë ndonjëherë nuk kisha imagjinuar se do të ngrija padi ndaj sekretarit të shtetit të Amerikës që unë e admiroj kaq shumë si vend”, u shpreh ish-kryeministri.
Ish-kryeministri tha se padia ndaj Blinken është “padi për dinjitetin njerëzor” dhe theksoi se me anë të saj kërkon të jetë transparent me shqiptarët.
Sali Berisha e cilësoi politik dhe pa fakte vendimin e SHBA për ta shpallur non grata, duke thënë se “karakterin politik të këtij vendimi e provon fakti se me gjithë kërkesën ndaj Blinken për të bërë publik çdo fakt, dokument provë që disponon, deri sot nuk është paraqitur as edhe një e dhënë e vetme sepse ato nuk ekzistojnë”.
Në muajin maj Blinken njoftoi përfshirjen e Berishës dhe familjes së tij në listën e personave që u refuzohet hyrja në SHBA për “korrupsion”.
Berisha bëri me dije se në takimin e zhvilluar në selinë e PD-së pak ditë më parë, Basha i ka kërkuar Ambasasdores Kim transparencë mbi akuzat.
Më 19 maj Blinken njoftoi se kishte shpallur Berishën dhe familjarët e tij “të padëshiruar” në SHBA për “korrupsion të niveleve të larta” dhe “cenim të demokracisë”.
Përveç Berishës, deri më sot DASH ka shpallur “non grata” për korrupsion ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, ish-kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako dhe ish-deputetin socialist Tom Doshi.
Në lidhje me rolin e ish-kryeministrit në Kuvendin e ardhshëm, në shtator, Berisha theksoi se do të jetë në parlament “ashtu siç e votuan qytetarët” duke nënkuptuar se do jetë pjesë e grupit parlamentar të PD-së.