UBT News

Sabrina Carpenter siguron urdhër mbrojtjeje ndaj një përndjekësi

Këngëtarja amerikane Sabrina Carpenter ka siguruar një urdhër të përkohshëm mbrojtjeje ndaj një 31-vjeçari, i cili dyshohet se e ka përndjekur dhe ka tentuar të hyjë në shtëpinë e saj në Hollywood Hills, Kaliforni.

Sipas dokumenteve gjyqësore, William Applegate e ka ndjekur Carpenterin që nga 20 prilli, ndërsa më 23 maj ai kishte shkuar deri te dera e shtëpisë së saj dhe kishte tentuar ta hapte atë me forcë.

Autoritetet e arrestuan të dyshuarin, por sipas dosjes së rastit ai u rikthye në të njëjtën adresë vetëm dy ditë më vonë.

Në kërkesën e paraqitur në gjykatë, Carpenter ka deklaruar se veprimet e tij i kanë shkaktuar stres të madh emocional dhe shqetësime serioze për sigurinë e saj. Ajo ka theksuar se pretendimet e Applegate se e njihte personalisht dhe se ajo e priste në shtëpi tregojnë një fiksim të rrezikshëm dhe të pabazuar ndaj saj.

Gjykata e Qarkut të Los Angelesit ka urdhëruar që Applegate të mos i afrohet më shumë se 90 metra këngëtares apo vendbanimit të saj.

Një detektiv i Policisë së Los Angelesit ka vlerësuar se sjellja e të dyshuarit përputhet me modele të njohura të përndjekjes, të cilat mund të paraqesin rrezik serioz për viktimat.

Seanca e radhës në këtë rast është caktuar për 17 qershor.

Ndërkohë, Sabrina Carpenter po shijon një periudhë pushimi pas një viti intensiv të mbushur me turne dhe paraqitje në festivale të mëdha muzikore.

Exit mobile version