UBT News

Sabedini: Gjithmonë në jetën time profesionale jam përpjekur, që etikën ta kem në plan të parë

Prishtinë – Jo rastësisht është thënë se pa etikë nuk ka gazetari. Etika është shpirti dhe detaji që e forcon çdo shkrim, kronikë, analizë apo tekst gazetaror. Nëse e kemi respektuar etikën, ne automatikisht jemi bërë përgjegjës ndaj vetes dhe ndaj lexuesve tanë. Etika e mirë, etika me autoritet në gazetari dhe medias është ilaç për një shoqëri të emancipuar. Jam përpjekur që libri të dalë i kompletuar, duke ofruar shumë nocione, përkufizime, udhëzime, agjenda e opinione nga më të ndryshmet, për dhe rreth etikës në gazetari. Libri do të kishte efekt, nëse nga këto të meta e dobësi, që i kam përshkruar në detaje, të gjejnë zbatim në praktikë dhe në jetën e përditshme nga gjeneratat e reja të gazetarëve profesionistë është shprehur profesori, gazetari e publicisti Musa Sabedini, në parathënien e librit: “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”.

Pjesë të shkëputura nga parathënia e autorit

Libri im i radhës, “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”, po vjen në një kohë kur media kosovare në përgjithësi është e mbuluar dhe e përcjellë me shumë gabime e të meta, që shkojnë në dëm të etikës gazetareske.

Libri, gjithashtu, erdhi si rezultat i punës sime të palodhshme disavjeçare, gjatë së cilës jam përpjekur ta avancoj etikën, në të gjitha dimensionet.

Përvoja ime mbi 33-vjeçare në gazetarinë informative dhe atë hulumtuese, përvoja tjetër mbi 13-vjeçare si themelues i një portali me ndikim dhe po kaq vite si pjesë e Bordit të KMSHK-së, më mundësuan të mësoj shumë për gabimet e përditshme që bëjnë portalet dhe të metat e shumta, që shfaqen gjatë të bërit gazetari online.

Në libër kam shtjelluar e trajtuar rolin e etikës në gazetari, në media, rolin e etikës në jetën e përditshme, në shkrime e tekstet tona, që i plasojmë çdo çast. Etika është thelbi i gazetarisë profesionale, sepse nëse gazetari nuk ka etikë personale, ai do ta ketë të vështirë ta zbatojë etikën kolektive ose të respektuarit të etikës në jetën publike.

Jo rastësisht është thënë se pa etikë nuk ka gazetari. Etika është shpirti dhe detaji që e forcon çdo shkrim, kronikë, analizë apo tekst gazetaror. Nëse e kemi respektuar etikën, ne automatikisht jemi bërë përgjegjës ndaj vetes dhe ndaj lexuesve tanë. Etika e mirë, etika me autoritet në gazetari dhe medias është ilaç për një shoqëri të emancipuar.

Kuptohet etikën nuk duhet ta ruajnë apo ta avancojnë vetëm mediat e gazetarët, sepse ajo duhet të respektohet edhe nga lexuesit, dhe ata që i kemi sy e vesh, për punën tonë të përditshme. Etikën si teori ose etikën në gazetari e kam dashur qysh nga fillet e para të gazetarisë sime. Por kjo më hyri në shpirt kur startova me portalin tim, prej nga kisha mundësi të shihja gabime të shumta nga portalet e tjera, shikoja sesi etika sakatohej, keq e më keq, dhe askush nuk ndërmerrte masa.

Gjithmonë në jetën time profesionale jam përpjekur që etikën ta kem në plan të parë, pa anashkaluar shkrimin e fuqishëm ose hulumtues. Në vitin 2009 isha në SHBA, në një trajnim për gazetari hulumtuese, dhe atje pash se etika ishte tema e parë e çdo profesori që ligjëronte në degën e gazetarisë.

Jam përpjekur që libri të dalë i kompletuar, duke ofruar shumë nocione, përkufizime, udhëzime, agjenda e opinione nga më të ndryshmet, për dhe rreth etikës në gazetari. Kam marrë referenca nga qindra studiues amerikanë, kanadezë, japonezë, turq, gjermanë, austriakë, indianë, kroatë, shqiptarë, studiues e ekspertë të fushave të ndryshme që ndërlidhen me etikën. Pra, në libër kam trajtuar edhe shumë raste e shembuj të shkeljes së etikës dhe kam ofruar edhe raste se si duhet të ruhet etika.

Synim imi gjithmonë është alternativa e kompletuar, duke mos e lënë në qiell atë zotësinë, dijen e përvojën time të gjatë në gazetari. Kam folur me shumë kompetencë, mbi shumë dukuri devijante në gazetarinë online në Kosovë dhe në rajon dhe kam ofruar analiza, rezultate e pasqyra të dobishme për studentët, studiuesit, redaktorët e pronarët e portaleve.

Libri është ndërtuar nga arkiva ime shumëvjeçare, me katër çmime të fituara në fushën e gazetarisë hulumtuese dhe është kurorëzuar me vitet e fundit të jetës sime aktive në Kolegjin UBT, si ligjërues i katër lëndëve të gazetarisë, ku sigurisht që e kam avancuar edhe më shumë gazetarinë e nivelit akademik e studimor, duke marrë pjesë edhe në 12 konferenca me karakter ndërkombëtar.

Libri do të kishte efekt, nëse nga këto të meta e dobësi, që i kam përshkruar në detaje, të gjejnë zbatim në praktikë dhe në jetën e përditshme nga gjeneratat e reja të gazetarëve profesionistë. Unë kam bërë diçka, që deri më tani ka munguar në Kosovë, sepse libër për Etikë të gazetarisë, me përjashtim të përkthimeve, autorë shqiptarë, sa unë kam njohuri, nuk ka, por kjo nuk do të thotë që të mos ecet tutje. Të tjerëve u takon që të shkruajnë e të debatojnë për etikën në televizione, në radio, për etikën në komunikim etj.

Ndryshe libri ka tre kapituj dhe secili prej tyre ngërthen tema, që kryekëput ndërlidhen me Etikën.

Në kapitullin e parë kam trajtuar e ballafaquar teorinë mbi etikën, sferën e etikës, kodet dhe parimet e saj, përkufizimet e etikës, rëndësinë që ka ajo në gazetari, thelbi i etikës, rëndësia e saj, sfidat që bartë me vete, kam shkruar gjerë e gjatë mbi gjuhën e urrejtjes, dezinformimin, privatësinë, shpifjen, lajmet e rreme, për vlerat etike të lajmit, për parimet etike, për raportimin jo etik në mediet e Kosovës, për dëmet ligjore që shkakton etika, për shkeljet etike, për sfidat e gazetarisë etike.

Kurse, në kapitullin e dytë jam marrë me kredibilitetin e gazetarit, për etikën në gazetari e media, për plagjiaturën dhe copy-paste lajmet, kam ofruar shumë shembuj praktikë të portaleve që kanë bërë shkelje të kodeve të etikës, kam ofruar udhëzime e qëndrime të KMSHK-së, KPM-së, si dy mekanizma që merren me vetërregullimin e mediave online dhe atyre televizive, për etikën në foto, video dhe videografi, për sharjet e dhunën banale në televizionet tona, për vdekjet e personaliteteve nga bota, tek të cilët është shkelur etika dhe raste studimore të vdekjeve, edhe të njerëzve të famshëm në Kosovë, që ishin atakuar me shkelje të etikës nga mediat, për ndershmërinë e gazetarit dhe problemet që medie digjitale ka në zbatim të etikës, për avantazhet dhe disavantazhet e kodeve të etikës.

Edhe kapitulli i tretë përbëhet nga materiale interesante, ku kam trajtuar dilemat e etikës, për dëmet që sjell TikTok, për rrjetet sociale e mediat sociale, që përshkruhen me shkelje ekstreme të etikës, për etikën në Bllog dhe bllogerët, për abuzimin gjatë aksidenteve, vrasjeve, vetëvrasjeve, dhunës në familje, për vetërregullimin dhe standardet e medies online, për parimet më të pranuara etike, për konfliktin e interesit dhe kualitetin e portaleve në fushën e etikës etj

Mirënjohës e falënderues shumë miqve të mi, dhe atyre që më qëndruan afër me këshilla, e sugjerime profesionale dhe përkrahje tjera.

Musa Sabedini

Exit mobile version