Mëngjesi tipik i shumë amvisave shqiptare përfshinë vezët. Ato servihen të ziera ose të skuqura në forma të ndryshme. Veza është një ushqim i shëndetshëm.
Ajo kombinohet me shumë gatime siç është bukë e thekur me avokado, supë me oriz, tavë me spinaq apo ëmbëlsira.
Gjatë një jave njeriu arrin të konsumojë shumë vezë dhe natyrshëm lind pyetja nëse konsumi i kaq vezëve është i shëndetshëm. Ekspertët ushqimorë thonë se një njeriu mund të konsumojë pa frikë dy vezë në ditë.
Veza duhet shoqëruar me barishte, kos, avokado dhe bukë me drithë të plotë. Nëse e servoni me proshuta dhe shumë feta djathë, atëherë do të mbusheni me kalori dhe yndyra të panevojshme.
E bardha apo e verdha e vezës?
Disa hanë vetëm të bardhën e vezës në përpjekje për të mos konsumuar shumë kalori, por e verdha e vezës ka shumë ushqyes të nevojshëm.
Ato nuk gjenden tek e bardha e saj, ndaj veza duhet konsumuar e plotë. Të dhënat konfirmojnë se vitaminat që treten në yndyrë gjenden pikërisht tek e verdha e vezës. Ndaj nëse hiqni të verdhat e vezëve mund të mos merrni shumë kalori por as vlerat ushqyese të tyre.
Sasia e duhur e vezëve
Sasia e duhur e vezëve është e gjitha në varësi të regjimit ushqimor që njeriu ndjek gjatë jetës, një vezë përmban 80 kalori, 5 gramë yndyrë dhe 6 gramë proteinë. Nëse jeni duke marrë mjaftueshëm proteinë dhe yndyra nga ushqimet tjera, ngrënia e një omleti prej 5 vezësh çdo ditë është padyshim një ide e keqe. Gjatë ditës mund të bëni rregullimet e duhura në sasinë e yndyrës dhe proteinës. /UBT News/