Një studim i publikuar në Proceedings of the National Academy of Sciences zbulon se ruajtja e përhershme e kohës standarde të dimrit është më e favorshme për trupin e njeriut, krahasuar me kohën e përhershme të verës ose me sistemin aktual të ndërrimit sezonal të orës.
Studiuesit analizuan ekspozimin ndaj dritës në 48 shtete të SHBA-së dhe e krahasuan me të dhëna shëndetësore, duke përdorur modele matematikore për të matur “ngarkesën cirkadiane” stresin që ora biologjike e trupit përjeton nën skenarë të ndryshëm kohorë.
Përfundimi ishte i qartë: koha e dimrit shkakton më pak stres dhe është më e shëndetshme.
Dr. Karin Johnson, neurologe, thekson se trupi rregullohet nga dielli dhe sa më shumë të përputhemi me kohën natyrore, aq më i mirë është gjumi, funksioni i trurit dhe mirëqenia.
Ajo paralajmëron se ora e përhershme e verës mund të shkaktojë mungesë dritë në mëngjes, duke ndikuar negativisht tek shëndeti, veçanërisht për fëmijët dhe ata që punojnë herët.
Sondazhet tregojnë një ndarje të opinionit publik: sipas Gallup 2024, 48% mbështesin kohën e dimrit, ndërsa 24% preferojnë kohën e verës.
Një sondazh YouGov 2023 tregoi të kundërtën, me 50% që favorizonin kohën e përhershme të verës.
Mbështetësit e kohës së verës përmendin përfitime si më shumë dritë pasdite, kursim energjie dhe më pak aksidente, por Akademia Amerikane e Mjekësisë së Gjumit e konsideron atë opsionin më të dëmshëm nga tre alternativat.
Dr. Johnson thotë se ndryshimi është i vështirë, por studime si ky mund të ndihmojnë gradualisht në zhvendosjen e opinionit publik drejt kohës së përhershme të dimrit, duke përmirësuar shëndetin dhe ritmet natyrale të trupit. /A.Z/UBT News/