Nga Randall Munroe “New York Times”
Fëmijët e mësojnë gjuhën nga njerëzit që ndodhen përreth tyre. Nëse ata janë të ekspozuar ndaj shumë gjuhëve, mund të rriten si njerëz që flasin 2 ose më shumë gjuhë. Dhe këto lloj mjedisesh nuk janë të pazakonta. Gjuhëtarët bien dakord, se sot shumica e fëmijëve në botë rriten duke dëgjuar shumë gjuhë.
Por sikur një fëmijë të rritet në një mjedis, ku është i ekspozuar ndaj dhjetëra apo qindra gjuhëve? Ne mund të imagjinojmë një personazh si Oliver Tuisti, i rritur në një lloj stacioni hekurudhor global, që ndërvepron me shumë punonjësish të stacionit dhe vizitorë nga e gjithë bota.
A mund të bëhet shumëgjuhësh një fëmijë i tillë? Ndoshta jo, thotë Suzi J. Stajls, psikologe zhvillimi në Universitetin Teknologjik Nanjang në Singapor, e cila studion përvetësimin e gjuhës nga fëmijët. Një nga pengesat është koha: Ndaj sa më shumë gjuhëve të jeni të ekspozuar, aq më pak ekspozim keni ndaj secilës prej tyre.
Nëse jeni duke mësuar 365 gjuhë brenda një viti, atëherë nuk mund të keni më shumë se një ditë të plotë ekspozim ndaj secilës prej tyre. Po ashtu, skenari ynë hipotetik lë jashtë diçka thelbësor: atë që dëshiron vetë fëmija. Fëmijët nuk janë thjesht sfungjerë që thithin gjithçka rreth tyre.
Ata i kushtojnë vëmendje botës dhe zhvillojnë ndjenja dhe opinione për të, dhe kjo luan një rol të madh në mënyrën se si mësojnë. “Fëmijët motivohen duke i parë të tjerët të përdorin gjuhën e tyre së bashku. Dhe ata janë përgjithësisht të motivuar të përdorin ato gjuhë, që ata shohin se kanë ndikimin më të madh social”, shprehet Stajls.
Nëse një udhëtar i rastësishëm endet nëpër stacion duke folur një gjuhë të panjohur dhe askush nuk i kushton vëmendje, ndoshta edhe fëmija nuk do ta bëjë këtë. Por nëse një person i lezetshëm shfaqet duke folur islandisht ose minoanishten e lashtë, dhe të gjithë do të kthejnë kokën për ta parë, edhe fëmija do të bëjë të njëjtën gjë.
Nëse njerëzit do të duken të emocionuar dhe të interesuar të flasin me të sapoardhurin, fëmija mund të ketë përshtypjen se gjuha është e lezetshme dhe e dëshirueshme për t’u mësuar. Fëmijët i kushtojnë më shumë vëmendje fjalëve të njerëzve, për të cilët kanë interes dhe që duan t’i imitojnë.
Me fjalë të tjera, për të mësuar shumë gjuhë, fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për ekspozim, por edhe për motivim. “Një vend veçanërisht i njohur për dendësinë e tij gjuhësore janë malësitë e Papua Guinesë së Re, ku aftësia për të komunikuar në disa gjuhë fqinje, është një avantazh i madh social. Në situata të tilla, fëmijët mund të mësojnë të komunikojnë rrjedhshëm në një shumëllojshmëri të madhe gjuhësh” thotë ekspertja.
Prandaj, në rast se doni të inkurajoni një fëmijë që të mësojë disa gjuhë, duhet ta ekspozoni ndaj sa më shumë prej tyre, dhe t’i bëni ato të duken të dëshirueshme, madje edhe të lezetshme në sytë e tij apo saj.
“Si arrihet kjo? Unë mund të mos jem personi më i duhur që duhet pyetur. Pavarësisht nga përpjekjet e mia më të mira “Si të bëjmë diçka në shkollë që fëmijëve t’u duket e lezetshme”, është një aftësi që nuk e kam fituar kurrë”, përfundon Randall Munroe./bota.al/