Kostoja totale për financimin e strategjive që do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2028 vlerësohet në rreth 7.6 miliardë euro.
Shifra del ne dokumentin e politikave prioritare 2026-2028, të botuar në Fletoren Zyrtare.
Ky dokument do të orientojë hartimin e buxhetit afatmesëm dhe alokimin e burimeve financiare, duke u fokusuar në përmbushjen e prioriteteve të përcaktuara.
Ndërkohë, disbursimi i mbështetjes nga Bashkimi Europian, do të varet nga përparimi konkret në zbatimin e reformave të përcaktuara.
Përveç kësaj, stabiliteti makrofinanciar, menaxhimi i qëndrueshëm i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit janë kushte të përgjithshme që duhet të përmbushen për të siguruar pagesat dhe çlirimin e fondeve.
Në periudhën nga viti 2024 deri në 2027, Shqipëria pritet të përfitojë një fond total prej 922 milionë eurosh në formën e granteve dhe kredive, me kushtin e zbatimit të reformave kyçe të përcaktuara në Agjendën Kombëtare të Reformave. Alokimet financiare do të mbështesin sektorë të rëndësishëm si përmirësimi i klimës së biznesit, zhvillimi i kapitalit njerëzor, avancimi i aftësive dixhitale, energjia dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe forcimi i shtetit të së drejtës.