UBT News

Sa është i nevojshëm themelimi i policisë së kryeqytetit, shpjegon eksperti i sigurisë

Rritja e aktiviteteve kriminale në Prishtinë po shkakton shqetësime te qytetarët. Shpeshherë nuk kanë munguar as thirrjet që të ndërmerren hapa nga organet kompetente të sigurisë.

Në një adresim para deputetëve në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Prishtinë, do të themelohet një drejtori e veçantë e policisë për kryeqytetin.

“Projekti jonë lidhet me strukturën e re të policisë që ne kemi aprovuar në vitin që shkoj, në bazë të kësaj strukture qe një kuadër me e themelu një drejtori të veçantë të policisë në kryeqytet në Prishtinë, e cila do të ketë një strukturë unike. Drejtori i kësaj drejtorie do t’i japë llogari drejtorit rajonal dhe zv.drejtorit në Prishtinë”, deklaroi Hoxha.

Se është nevojë e domosdoshme themelimi i kësaj Policie e thotë edhe eksperti i sigurisë, Avni Islami. Sipas tij, kjo polici do të ndikonte në parandalimin dhe zvogëlimin e krimit në Prishtinë.

“Kërkesa për themelimin e policisë së kryeqytetit ka qene e kahmotshme sepse Prishtina për ne është nje vend metropol ku është i përqendrum dhe i koncentrum një numër i madh i qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe thuajse është e pamundur që uniforma e policisë së Kosovës të jetë e pranishme. Në të shumtën e rasteve, jo vetëm uniforma e cila ka rëndësinë e vet, por edhe prezenca e policisë komunale do të ishte efektive në parandalimin dhe luftimin e shumë dukrive negative”, deklaroi Hoxha.

Më tutje Islami thekson edhe nevojën e ndarjes së mjeteve buxhetore për këtë polici.

“Kemi parë dje edhe sot prapë disa tentativa të vrasjes, por edhe në të kaluarën kemi parë raste ku sipas shumë analistëve dhe organeve joqeveritare që merren me këto gjëra thuhet se është dashur që moti të formohet policia komunale. Kështuqë unë e shoh mëse të nevojshme të formohet sa më shpejt, të ndahet një buxhet aq sa është i nevojshëm, të formohet edhe të dilet dhe të jetë prezente uniforma e policisë komunale”, deklaroi ai.

Së fundmi kryeqyteti është përballur me të shtëna armësh mes grupeve të ndryshme, të cilat kanë përfunduar edhe me vrasje. Si pasojë e këtyre sulmeve kanë pësuar edhe kalimtarët e rastit./UBTNews/

Exit mobile version