UBT News

Sa është afër marrëveshja përfundimtare mes Kosovës e Serbisë, shpjegon politologu Dritëro Arifi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Unioni Evropian, për herë të fundit u takuan në shtator të vitit të kaluar. Prej atëherë, takime kishte vetëm në nivel të kryenegociatorëve.

Tani kur procesin e dialogut duket se e ka rënduar edhe më shumë çështja e përdorimit të dinarit serb, fundi i këtij procesi nuk po shihet afër.

Në një prononcim për UBTNews, politologu Dritëro Arifi thotë se në bazë të rrethanave aktuale, marrëveshje përfundimtare me Serbinë nuk mund të ketë.

“Po duke parë gjithë rrethanat si ka shkuar sidomos në pjesa e dialogut të këtij trevjeçari me qeverinë Kurti2 me ndërmjetësuesin Bashkimin Evropian mund të themi se marrëveshje finale nuk kemi dhe nuk do të ketë në këtë periudhë që ka mbetur sepse edhe vetë marrëveshja që është arritur në Bruksel dhe në Ohër është marrëveshje për normalizimin është marrëveshja bazë në normalizimin e raporteve që për të ecur tutje për një marrëveshje eventuale finale në të ardhme të afërme”, deklaroi Arifi.

Sipas tij, zgjidhja për një marrëveshje përfundimtare të palëkundur, mbetet vetëm te presioni ndërkombëtar.

“Vetëm një presion i fuqishëm ndërkombëtar, sepse Kosova në sipërfaqe po duket që mund të jetë vend problematik, por në fakt nuk është nëse Serbia do ishte e gatshme të njihte Kosovën atëherë Kosova besoj që do t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet për të cilat i ka nënshkruar dhe zbatuar sepse nuk ka sens, Serbia e njeh Kosovën në mënyrën  juridike ligjore, njohja reciproke çdo zbatim i marrëveshjes nuk do ta kishte në një kontinacion tjetër negative, kështu që do ishte një fitore për të gjithë por kjo varet në rrethanat që krijohen në Bashkësinë Perëndimore”, deklaroi ai.

Arifi thotë se gjatë tri viteve të qeverisjes aktuale, është vërejtuar se dialogu ka qenë top prioritet.

“Është e vërtet që dialogu ka qenë pengesë për zhvillimin e Kosovës por po vërehet që dialogu nuk ka qenë projekt i 4-të por ka qenë apo është super prioritet i qeverisë sepse realisht që tre vite vetëm me dialog është marrë qeveria e Kosovës dhe për fat të keq edhe qytetarëve të Kosovës ne nuk kemi reforma serioze as në ekonomi as në drejtësi as në punësim sepse ato nifar forme janë të ndërlidhura me njëra tjetrën por po mendoj se qeveria e Kosovës nuk e ka kuptuar që nuk dialogon me Serbinë sepse ne me Serbinë realisht prandaj dhe kemi fasilitu sepse ne me Serbinë shumë pak apo fare mund të merremi vesh”, tha Arifi.

Udhëheqësit shtetërorë të Kosovës i janë zotuar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis se do ta themelojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pas anëtarësimit të Kosovës si shtet anëtar në këtë Këshill.

Së fundmi, BE ka kërkuar edhe njëherë themelimin e Asociacionit, në të kundërten vendi ynë do të përballet me pasoja në rrugën drejt BE-së./UBTNews/

Realizoi: Dea Berisha

Exit mobile version