Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se nuk ekziston alternativë tjetër përveç rritjes së shpenzimeve për mbrojtje, për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia dhe sfidave të tjera globale të sigurisë.
“Duke pasur parasysh kërcënimin afatgjatë nga Rusia, shtimin masiv të ushtrisë në Kinë dhe faktin që Koreja e Veriut, Kina dhe Irani po mbështesin përpjekjet luftarake të Rusisë në Ukrainë, është thelbësore të shpenzojmë më shumë për mbrojtjen tonë,” tha Rutte, i cili sot merr pjesë në Samitin e NATO-s.
Ai theksoi se kjo do të jetë tema kryesore në agjendën e samitit të sotëm.
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka kërkuar vazhdimisht që vendet anëtare të NATO-s të rrisin kontributin financiar, ka shtuar presionin që aleanca të miratojë një objektiv më të lartë të shpenzimeve ushtarake — deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).