Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka deklaruar se anëtarësimi në aleancë nuk i është premtuar kurrë Ukrainës si pjesë e marrëveshjes së paqes.
“Kurrë më parë nuk është thënë, madje as në atë deklaratë të samitit të Washingtonit, se kur do të arrihet një marrëveshje e paqes për Ukrainën, se në atë marrëveshje të paqes duhet të jetë NATO, pikë. Nuk është kështu“, u tha Rutte gazetarëve në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Rutte theksoi se “asnjëherë nuk i është premtuar Ukrainës” që anëtarësimi në NATO “do të jetë pjesë e rezultatit”.
Ai shtoi se gjërat duhet të shkojnë “hap pas hapi” dhe sipas tij, hapi i parë është të vendoset Ukraina në një “pozicion të fortë” dhe të sigurohet një marrëveshje që do të parandalojë presidentin rus, Vladimir Putin, të sulmojë përsëri Ukrainën.
Shefi i aleancës përsëriti se aleatët evropianë duhet të shpenzojnë më shumë. “Është absolutisht e qartë, nëse qëndrojmë me shifrat aktuale, nuk do të arrijmë atje. Ne nuk do të jemi të sigurt për katër apo pesë vjet“, tha ai.
Lidhur me rolin e Evropës në bisedimet e mundshme të paqes, Rutte tha se vendet evropiane tani duhet “të dalin me plane konkrete”.
“Së pari, të mbërrij më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën. Së dyti, duhet më shumë trajnime në Ukrainë“, shtoi ai.
Shefi i NATO-s shprehu gjithashtu “trishtim” për “sulmin e tmerrshëm” të kryer në Mynih, duke shprehur shpresë se “do të jetë e qartë se çfarë ka ndodhur”.
Incidenti ndodhi dje kur një makinë u përplas me një turmë në qendër të qytetit ku anëtarët e një sindikate ishin mbledhur për një demonstratë. Shoferi i makinës, një shtetas afgan 24-vjeçar, u kap menjëherë nga policia në vendngjarje.