UBT News

Russell Crowe luan emigrantin shqiptar në thrillerin e ri “The Get Out”

Aktori fitues i “Oscar”-it, Russell Crowe, rikthehet në ekranin e madh me një rol që mund të tërheqë veçanërisht vëmendjen e publikut shqiptar. Ai interpreton Manco Kapak, një emigrant shqiptar që ka ndërtuar jetën në Los Angeles, por që përballet sërish me të kaluarën kriminale.

Në thrillerin “The Get Out”, me regji të Derrick Borte, Crowe portretizon pronarin e një klubi nate në Los Angeles, i cili duket se ka lënë pas jetën kriminale. Megjithatë, e kaluara e tij lidhet me botën e krimit, trafikun e parave dhe kartelet e drogës.

Pas një problemi serioz shëndetësor, Manco vendos të largohet nga kjo jetë dhe të shesë klubin, me synimin për të nisur një kapitull të ri së bashku me partneren e tij, Sunny, të luajtur nga Teresa Palmer.

Por plani i tij prishet kur klubi bëhet objekt i një grabitjeje. Manco përfshihet sërish në një botë nga e cila kishte tentuar të largohej, ndërsa kërcënimet e karteleve, sulmuesit e maskuar dhe një blerës misterioz, Joe Carver, i luajtur nga Luke Evans, e vendosin përballë rreziqeve të reja.

Personazhi i Mancos ndërtohet mbi përplasjen mes së kaluarës dhe dëshirës për një jetë të re. Identiteti i tij shqiptar është pjesë e rëndësishme e historisë, duke sjellë në një produksion të Hollywood-it figurën e një emigranti shqiptar që përpiqet të ndërtojë një identitet të ri në Amerikë.

Në kast janë gjithashtu Aaron Paul dhe Nina Dobrev, ndërsa filmi është përshtatur nga romani “Strip” i Thomas Perry-t, me skenar të Derrick Borte dhe Daniel Forte.

“The Get Out” ndërthur thrillerin kriminal, aksionin dhe humorin e zi. Filmi është shfaqur në kinema gjatë qershorit 2026 dhe zgjat rreth 100 minuta.

Për publikun shqiptar, veçanërisht interesant mbetet fakti se Russell Crowe sjell në ekran një personazh me prejardhje shqiptare, i cili përpiqet të shkëputet nga e kaluara dhe të ndërtojë një të ardhme të re./A.K/

Exit mobile version