UBT News

Rusia zgjeron sulmin në Ukrainën perëndimore ndërsa kolona e madhe i afrohet Kievit

Rusia goditi pranë aeroporteve në Ukrainën perëndimore të premten, duke zgjeruar ofensivën e saj ushtarake ndërsa trupat u mblodhën jashtë kryeqytetit Kiev, përcjell UBT News.

Zëdhënësi i ministrisë ruse të mbrojtjes, Igor Konashenkov tha se Rusia përdori armë me precizion të lartë me rreze të gjatë për të vënë “jashtë veprimit” aeroportet ushtarake në Lutsk dhe Ivano-Frankivsk pa dhënë detaje të mëtejshme.

Sulmet në aeroportin e Lutsk lanë dy ushtarakë ukrainas të vdekur dhe gjashtë të plagosur, tha kreu i rajonit përreth Volyn, Yuriy Pohulyayko.

Në Ivano-Frankivsk, banorët u urdhëruan të qëndrojnë në strehimore pas një alarmi për sulm ajror, tha kryebashkiaku Ruslan Martsinkiv.

Fotot satelitore dukej se tregonin një kolonë masive që po mblidhej edhe një herë jashtë kryeqytetit Kiev, me njerëz që po përgatiteshin për një sulm. Kolona e parë në imazhet satelitore nga Maxar Technologies tregoi një linjë 64 kilometrash me automjete, tanke dhe artileri.

Ndërkohë, sulmet ajrore ruse në zonat e banuara në qytetin lindor të Dnipros, vranë të paktën një person, thanë shërbimet e urgjencës të Ukrainës në një deklaratë të premten.

Pati tre sulme ajrore në qytet, që përfshinin një kopsht fëmijësh, një ndërtesë apartamentesh dhe një fabrikë këpucësh, thanë shërbimet e urgjencës. Shpërthimi dëmtoi dritaret në tetë ndërtesa banimi pranë fabrikës, thuhet në deklaratë.

Situata në qytetin port juglindor të Mariupolit është gjithnjë e më e rëndë pasi civilët e bllokuar kërkojnë ushqim dhe karburant, tha zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk.

Më shumë se 1,300 njerëz kanë vdekur në rrethimin 10-ditor të qytetit, tha Vereshchuk. “Ata duan të shkatërrojnë njerëzit e Mariupolit. Ata duan t’i bëjnë të vdesin nga uria”, shtoi ajo. “Është një krim lufte”.

“Ata kanë një urdhër të qartë për të mbajtur peng Mariupolin, për t’u tallur me atë, për ta bombarduar dhe granatuar vazhdimisht”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në fjalimin e tij të natës me video drejtuar kombit të enjten./UBTNews/

Exit mobile version