Rusia i tha një përfaqësuesi të lartë të Kombeve të Bashkuara se zgjatja e një marrëveshjeje për drithërat e Detit të Zi varej nga lehtësimi i eksporteve bujqësore dhe të plehrave nga Perëndimi, tha në një deklaratë ministria e mbrojtjes.
Në një takim në Moskë, zëvendësministri i mbrojtjes i Rusisë, Alexander Fomin i tha nënsekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Martin Griffiths se zgjatja e marrëveshjes, e cila çliron eksportet bujqësore ukrainase nga portet e saj jugore, “varet drejtpërdrejt nga sigurimi i zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë. ”
Rusia thotë se ndikimi i sanksioneve perëndimore në logjistikë, pagesa, transport dhe sigurim e pengon atë të eksportojë plehra dhe se lehtësimi i këtyre kufizimeve ishte një pjesë kyçe e marrëveshjes së ndërmjetësuar në korrik nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara./UBTNews/